Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka thënë se këtë vit janë kursyer 88 milionë euro import të energjisë elektrike, krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas tij, masa e kursimit të energjisë dhe subvencionimi i saj ka bërë që të kursehet energji elektrike dhe siç u shpreh ai të mos ketë nevojë që Kosova të importojë energji elektrike.
“Sa i përket kësaj mase, do të doja të ndaja disa shifra. Ka qenë mbi 200 mijë numri i familjeve që kanë përfituar çdo muaj, dikush më shumë e dikush pak më pak, dhe kanë qenë të kursyera shumë më shumë kilovat në orë energji elektrike të cilat nuk i kemi importuar. Dhe kemi bërë përllogaritje që po të ishin importuar dhe të mbahej konstant konsumi më vitin paraprak do të figuronte një import shtesë prej 88 milionë euro…pra përmes kësaj mase mund të themi që kemi kursyer 88 milionë euro nga importi, pra janë mjete që nuk janë dërguar jashtë vendit dhe nuk është importuar energji elektrike, por për më tepër është kursim për taksapaguesit, kursim për qytetarët…”, ka thënë Murati.
Murati po ashtu tha se tashmë ka përfunduar subvencionimi i energjisë elektrike për sezonin dimëror, dhe gjatë vitit do të subvencionojnë vetëm familjet në nevojë, raporton Telegrafi.
“… kjo do të jetë përmbyllja e kësaj mase të kursimit e cila ka qenë për periudhën apo sezonin dimëror të këtij viti. Normalisht që do të ketë masa të tjera, që po ashtu janë paraparë dhe pako të BE-së, ku janë paraparë edhe 25 milionë euro të tjera që do të jenë përgjatë vitit, pra mbështetje për familjet në nevojë, në mënyrë që të tejkalohet sa më lehtë dhe barra apo fatura e energjisë elektrike për ta”, u shpreh ai.
I pyetur se si do të bëhet subvencionimi i energjisë elektrike për familjet në nevojë, ai tha: “Jemi në përgatitje e sipër të masave dhe dizajnin se si mund të përfitojnë qytetarët. Do të kujdesemi që procedurat të kenë më pak burokraci. Ndoshta do të parashihet dhe aplikimi sepse do të përfshihen familjet në nevojë, por do të mundohemi që të ketë sa më pak procedura…Me mbështetje të BE-së do ta zgjerojmë pakon mbështetëse dhe grupin e atyre që do të përfitojnë”, ka thënë Murati.