Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci tha se inflacioni i çmimeve në Kosovë ka shënuar rekord të zi ku norma vjetore e interesit në muajin prill ka arritur në 11.2 për qind.
Përballë kësaj krize të rëndë ekonomike, Stavileci në Facebook ka thënë se Qeveria e Kosovës po qëndron si spektatore.
“Me ekskursione të gjata e të padobishme qeveritare nuk luftohen krizat ekonomike dhe inflacioni. Sot përsëri jemi dëshmitarë të një rekordi edhe më të zi për sa i takon inflacionit të çmimeve në vendin tonë. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill 2022 ishte 11.2 për qind. Ndërkaq, Qeveria e vendit tonë nga një spektatore krizash të brendshme është kthyer në një pasionante ekskursionesh jashtë vendit”, ka shkruar Stavileci.
Të gjitha këto goditje të njëpasnjëshme për qytetarët dhe ekonominë, siç thotë ai, nuk po i këndellin pushtetarët nga rrethi vicioz i ideve dhe gjumi i thellë që i ka kapluar.
“As mundin minimal nuk po e marrin që me masa e intervenime ekonomike t’i japin përgjigje krizës ekonomike. Hiperdeflacioni qeveritar po e rritë pasigurinë dhe pamundësinë e qytetarëve për t’u përballë me të gjitha këto kriza që po rëndojnë mbi kurrizin e tyre”, tha ai.
Sipas tij, dalja nga ky rreth vicioz i mosveprimit të pushtetarëve dhe apatisë qeverisëse, nuk është çështje e fantazisë shkencore, por pikë së pari është çështje e moralit qeveritar dhe vullnetit politik për të respektuar qytetarët dhe shtetin tonë.