Stavileci: Kosova është në periudhën me të errët të pandemisë, qeveria po i ofendon mjekët me nga dy euro në ditë

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, në një konferencë për media, tha se Kosova është në periudhën më të errët të pandemisë, me shumë të vdekur e me shumë rrëmujë, e aspak menaxhim e rregullsi.

Ai tha se shifrat e rasteve të vdekjeve dhe të infektimeve janë alarmante, ndërsa po shtohen nga dita në ditë me një shpejtësi të friksh,e

“Kriza po thellohet dhe tashmë ajo është shndërruar në tragjedi njerëzore. Vetëm në 12 ditët e fundit kemi pasur 24 mijë e 115 raste të reja infektimi dhe 136 humbje jetësh”, tha Stavileci, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Stavileci tha se qendrat e vaksinimit në vend janë të pakta dhe ato nuk janë shtuar në raport me rritjen e rasteve, duke shtuar se nuk ka termine të lira për vaksinimin dhe nuk ka transparencë për sasinë e vaksinave, teksa kritikoi Qeverinë e Kosovës se e ka braktisur frontin kundër pandemisë dhe si rrjedhojë, sipas tij, tash po shihen pasojat në shëndetësi, siguri, ekonomi dhe arsim.

Stavileci tha se qeveria aktuale ka braktisur frontin kundër pandemisë dhe si rrjedhojë, tani po shihen pasojat fatkeqe në shëndetësi, siguri, ekonomi dhe arsim.

“Vija e parë e frontit kundër pandemisë, mjekët, infermierët dhe i tërë personeli shëndetësor janë të stërngarkuar e të stërlodhur, por ata janë lënë të vetëm e në distancë nga një qeveri e cila arriti ta disenjojë krizën më të madhe shëndetësore dhe kollapsin e krejt sistemit shëndetësor. Dhe, për ironinë më të madhe të fatit të tyre, jo që u ndihmoi, por i ofendoi me nga 2 euro në ditë”, u shpreh Stavileci, përcjellë Klankosova.tv.

Më tej, Stavileci i pyetur se a do të bëjë fushatë Partia Demokratike e Kosovës, duke e pasur parasysh rritjen e rasteve me COVID-19, tha se është ende herët të flitet për këtë, por që përgjigja e tyre do të jetë meritore ndaj situatës me pandeminë.

“Gjatë gjithë kohës së pandemisë edhe në periudhën e kaluar, njerëzit e PDK-së janë munduar që t’i zbatojnë të gjitha masat dhe rregullat e institucioneve përgjegjëse. Të njëjtën do ta bëjmë edhe tani dhe përgjigja jonë do të jetë meritore ndaj situatës me pandeminë”, është shprehur Stavileci