Stafi i infektuar me COVID-19, problemi kryesor në Spitalin e Gjilanit

Doktori Ukshin Ismaili nga Spitali i Gjilanit është shprehur se mungesa e stafit mjekësor si pasojë e infektimit me koronavirus është problemi kryesor në menaxhimin e situatës me virus në këtë spital.

Në Interaktiv të KTV-së, Ismaili ka thënë se aktualisht në Spitalin e Gjilanit janë të hospitalizuar 65 pacientë me 50 prej tyre të konfirmuar me COVID-19. 32 janë në osigjenoterapi, ndërsa tre të intubuar janë në gjendje më të rëndë. Komuna e Gjilanit ka shtatë ditë që nuk ka pasur asnjë viktimë nga koronavirusi.

“Që nga pacienti i parë që kemi pas, kemi ndarë edhe reparte që do të menaxhojnë rastet me COVID-19. Për momentin po ia dalim, por në kohë të fundit kemi një pjesë të kolegëve që janë të infektuar e janë në vetizolim. Sa i përket kapaciteteve dhe shtretërve, përveç kapaciteteve të mjaftueshme dëshirohet edhe ana profesionale. S’jemi në formën më të mirë të mundshme pasi kemi kolegë të infektuar. Kemi bë kombinime të ndryshme, por po provojmë të menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme në ato mundësi që kemi”, ka thënë ai.

Sipas tij, të dhënat e përgjithshme deri tash për Gjilanin janë: 736 të infektuar, 506 të shëruar e 196 raste aktive. Ismaili ka treguar se nga fillimi i pandemisë deri tash, në Gjilan janë infektuar 39 punëtorë shëndetësorë, prej tyre 12 mjekë, 21 infermierë e gjashtë staf ndihmës. Për momentin janë 14 raste aktive nga stafi mjekësor.

Ka thënë se ndarja e 360 mijë eurove nga Qeveria e Kosovës për blerjen e aparaturave për testim për COVID-19 në qendrat rajonale do të bëjë që më pacientët në Gjilan të mos kenë nevojë të presin më gjatë për rezultatet e testimeve. Sipas tij, kjo do të mundësonte edhe menaxhim më të mirë të situatës.

Ai ka thënë se furnizimi me oksigjen është stabilizuar ditët e fundit në këtë spital.