Specialja konfirmon vizitën e Hashim Thaçit, jep detaje

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka arritur për një vizitë të shkurtër në Kosovë.

Vizita e tij ka ardhur si rezultat i gjendjes së rëndë shëndetësore të babit të tij.

Gjykata Speciale ka bërë të ditur se vizita e Thaçit është nën mbikqyrje dhe për arsye humanitare bindëse.

“Trupi Gjykues dhe Gjykatësja e Procedurës Paraprake kanë udhëzuar Zyrën Administrative që të menaxhojë një vizitë nën mbikqyrje në Kosovë të Hashim Thaçit për ta takuar babain e tij. Gjatë kësaj vizite nën mbikqyrje, i akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftimin e Speciales.

Kurse në një përgjigje për Telegrafin nga Specialja kanë theksuar se kjo është hera e tretë që Specialja ka miratuar një kërkesë nga Hashim Thaçi për të vizituar Kosovën për arsye të fuqishme humanitare.

“Në total, kjo është vizita e 13-të në paraburgim e menaxhuar nga Regjistri për një të paraburgosur në Kosovë mbi baza humanitare”, thuhet në përgjigjen e Speciales

Thaçi aktualisht ende është në ambientet e QKUK-së.