Specialja bastis shtëpinë e ish-këshilltarit të Thaçit, Artan Behrami

Gjykata Speciale ka nisur bastisjet në shtëpinë e ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami.

Një ditë më parë, Specialja ka bastisur edhe banesat e dy ish-këshilltarve tjerë të Thaçit, Blerim Shalës dhe Bashkim Smakajt, transmeton Telegrafi.

Behrami të hënën reagoi ndaj bastisjeve, duke thënë se “Gjykata Speciale është fashiste, sepse përndjek, arreston dhe dënon vetëm shqiptarët”.

“Bastisja e shtëpive të kolegëve, Blerimit dhe Bashkimit, është skandaloze dhe e paprecedent! Blerim Shala ka qenë pengesë vetëm për regjimin e Millosheviqit dhe ky regjim e kishte arrestuar atë disa herë. Për katër dekada, Shala ka qenë njëra ndër figurat intelektuale që ka dhënë një kontribut të pashlyeshëm në rrugën për liri, pavarësi dhe shtetndërtim! Ndërsa, Bashkim Smakaj është ndër njerëzit më profesionist që njoh në fushën e sigurisë, njeri që ka ndërtuar shumë institucione të sigurisë në Kosovë nga themelet”, ka thënë Behrami.

Ndaj bastisjes së Speciales, ka reaguar edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Në reagimin e bërë në Facebook, Çitaku ka shkruar se kjo është përndjekje politike.

“Kjo nuk është drejtësi. Kjo është përndjekje. Persekutim.Dje Blerimi e Bashkimi. Sot Artani. Nesër nuk e di. Po ajo që po shihet sheshazi është që kjo është përndjekje politike”, ka pohuar ajo.