Spanja nuk ka plan të hapë zyre në Prishtinë, s’e ka ndryshuar qëndrimin për njohje

Ministria e Jashtme e Spanjës, në një përgjigjie ekskluzive për klankosova.tv, ka thënë se ky shtet, nuk ka në plan të hapë zyrë ndërlidhëse në Prishtinë.

Kjo pas raportimeve të sotme në media, se një gjë e tillë tashmë është iniciuar.

”Nuk ka asnjë plan për të hapur një zyrë ndërlidhëse në Prishtinë”, thuhet në përgjigjie.

Veç kësaj, thuhet se pozicioni i Spanjës për mosnjohjen e shtetit të Kosovës, nuk ka ndryshuar.

Por, lë të kuptojë se ky qëndrim nuk ndryshon nëse çështja nuk zgjidhet përmes dialogut.

”Pozicioni i Spanjës për mosnjohjen e deklaratës së Pavarësisë, i miratuar nga Prishtina në 2008, nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë nëse çështja nuk zgjidhet përmes dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës”.

Megjithatë, Spanja e mirëpret si hap pozitiv rinisjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

”Në këtë kuptim, ne e konsiderojmë rinisjen e dialogut si një lajm të mirë. Është e nevojshme të shfrytëzohet momenti për t’u përpjekur të arrihet një marrëveshje e pranueshme për të dy palët dhe e respektueshme për të Drejtën Ndërkombëtare”.

”Për të arritur këtë qëllim ne kemi një ARVP, z. Borrell, i cili ka interes të madh për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit dhe me punën e shkëlqyeshme të Miroslav Lajcak, të cilën ne e mbështesim plotësisht”.

Tutje në përgjigjien e tyre për klankosova.tv, MPJ e Spanjës, thotë se janë të gatshëm për bashkëpunim, meqë përparësi për të, është stabiliteti politik dhe prosperiteti ekonomik i Ballkanit.

”Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, sa më shumë që të mundemi, në këto përpjekje, pasi përparësia për Spanjën është stabiliteti politik dhe prosperiteti ekonomik i Ballkanit”.