Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar se edhe Spanja i është shtuar listës së vendeve që njeh pasaportat e Kosovës. Sipas tij, tani mund të udhëtohet pa viza edhe drejt këtij shteti.
Bislimi ka thënë se Drejtoria e Përgjithshme për Migrim dhe Punët e Brendshme të Bashkimit Evropian (DG Home) ka njoftuar se Spanja i njeh pasaportat e Kosovës.
“Lajmet e mira vazhdojnë. Për qytetarët tanë dhe shtetin. DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti. Ndërsa me 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Shengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë”, ka shkruar Bislimi në Facebook.
Zëvendëskryeministri tutje ka shkruar se do të vazhdohet puna për të sjellë lajmë të mira “e që ndikojnë pozitivisht për qytetarët tanë”.
Për lajmin ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Teksa ka falënderuar Spanjën, ajo ka thënë se bazuar në njoftimet nga shtetet anëtare të BE-së, Spanja i njeh pasaportat e zakonshme të Kosovës që nga 1 janari. Ajo ka publikuar edhe dokumentin zyrtar që tregon se kosovarëve u lejohet hyrja në Spanjë, e se “megjithatë kjo nuk do të thotë njohje zyrtare e Kosovës si shtet i pavarur”.
Spanja është një nga pesë vendet e BE-së, e cila vazhdon të mos e njohë Pavarësinë e Kosovës.