Ministria e Shëndetësisë e Kosovës (MSH) ka bërë të ditur se sot do të pranohen 515,970 doza të tjera të vaksinës Pfizer kundër COVID-19.
Sipas njoftimit të MSH-së, këto doza janë të siguruara nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, për popullin e Kosovës, dhe arrijnë në Kosovë përmes mekanizmit COVVAX.
“Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës do të mbahet sot ceremonia e pranimit të 515, 970 dozave të vaksinës Pfizer, të siguruara nga Presidenti i SHBA, Joe Biden për popullin e Kosovës, të cilët në vendin tonë kanë arritur përmes mekanizmit COVAX. Në ceremoninë pranimit zyrtar të këtij donacioni nga SHBA-të për Kosovën do të marrin pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Ambasadori i SHBA në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier , shefja e UNKT, Ulrika Richardson dhe Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Ceremonia e pranimit të këtyre dozave fillon në ora 14:00 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Shtëpia e Bardhë ka filluar t’i dërgojë Kosovës vaksina anti-COVID nga gushti i vitit të kaluar. Kontingjenti i parë prej 35,000 vaksinave Pfizer të dërguara në Kosovë si donacion nga SHBA-ja kanë arritur përmes programit COVAX.
Ndërkohë, më vonë në shtator, SHBA-ja ka dërguar edhe 503,100 doza të tjera të vaksinës Pfizer, sërish përmes programit COVAX.