Sot s’pati asnjë të vdekur nga COVID-19, Kurti: Kjo e shtunë i rritë shpresat tona

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në ditën kur Qeveria “Kurti” i bëri dy muaj qëkur filloi punën, IKSHPK raportoi zero raste të vdekjes me Covid19.

Ai tha se po rriten shpresat që të ulet numri i të infektuarve të rinj dhe të rritet numri i të vaksinuarve.

Postimi:

Sot, kur u bënë dy muaj qëkur Qeveria jonë mori besimin e Kuvendit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës raporton për zero raste vdekjeje nga COVID-19.

Kjo e shtunë i rritë shpresat tona me lakoret që shënojnë rënie të rasteve të reja dhe rritje të numrit të të vaksinuarve dhe të të shëruarve nga COVID-19.

Ky përparim i brishtë shumë prej nesh i gjen në pikëllimin e thellë për më të dashurit që humbëm. Çdo jetë e humbur nga kjo pandemi, është humbje e jona kolektive.

Të qëndrojmë të bashkuar deri në ditën kur lakorja për të cilën do të flasim, do të jetë ajo e buzëqeshjes në fytyrat tona për fitoren ndaj virusit.