Sot shteti ndau 22 milionë euro nga pakoja emergjente

Qeveria e Kosovës ka ndarë sot 22 milionë euro nga pakoja emergjente fiskale. Në një përgjigje për KOHËN, Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka njoftuar se janë ndarë 108 mijë pagesa të hënën.

Pasi u dekretua rishikimi i buxhetit, të hënën janë ndarë nga 130 euro, si pjesë e masës 15 të pakos emergjente, për 27 mijë e 572 familje (prill 5131 familje, maj 27572 familje, qershor 26374 familje), në vlerë totale prej 7 milionë e 828 mijë eurosh. Pika 15 e kësaj pakoje kishte të bënte me pagesën e asistencës mujore në vlerë prej 130 euro për qytetarët me kushte të rënda sociale, të lajmëruar si të papunë në institucionin kompetent, që nuk janë përfitues të asnjë të hyre mujore nga buxheti i Kosovës, për muajt prill, maj dhe qershor.

Sot po ashtu janë ndarë edhe nga 170 euro si pjesë e masës 3a për mbulimin e pagave mujore për punonjësit, për shoqëritë tregtare që janë në vështirësi financiare si rezultat i situatës. Në këtë pikë, sipas MF-së, janë ndarë 14 milionë euro për 80 mijë përfitues. Kjo ministri ka thënë se për 80199 përfituesit nga 170 euro, janë përfshirë edhe pagesa vetëm për herën e dytë, por edhe për ata që nuk kishin marrë as pagesën për muajin e parë (3369 persona). Të martën do të vazhdohet me ekzekutimin e pagesës prej 170 euro edhe për 53 mijë e 279 persona të tjerë për të përmbyllur këtë masë.

Ministrja është zotuar se gjatë javës do të vazhdohet me ekzekutimin e masave të tjera, duke përmendur mbulimin e kontributeve pensionale për pagat lidhur me masat e parapara në këtë pako; pagesat shtesë prej 100 eurosh për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe barnatoreve; pagesën prej 130 eurosh për qytetarët që kanë humbur vendet e punës; dhe mbështetjen financiare për shoqëritë tregtare që regjistrojnë punëtorët me kontratë pune së paku njëvjeçare gjatë periudhës së situatës së emergjencës me nga 130 euro për dy muaj pas regjistrimit. E gjithë kjo “në varësi se si përgatiten dhe dërgohen nga ministria përgjegjëse e ekonomisë, si ministri zbatuese e pakos për këto masa”.

“Ekzekutimi i plote i pakos emergjente dhe fillimi i zbatimit te pakos se rimëkëmbjes do te ketë efekte pozitive te shumanshme, të cilat janë edhe objektiv i qeverisë”, ka thënë ajo në përgjigjen për KOHËN.

Pa përfshirë pagesën e sotme, kjo ministri ka thënë se deri më 31 korrik shteti kishte ndarë 83 milionë euro nga pakoja emergjente, nga rreth 180 sa ishin të parapara me këtë pako.