Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot (16 korrik) do të shpallin aktgjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i akuzuar për krime lufte.
Procesi gjyqësor kundër Shalës nisi më 21 shkurt 2023. Shala është deklaruar i pafajshëm për katër pikat e aktakuzës – ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Aktakuza pretendon se Pjetër Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roje të UÇK-së në mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 “morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë”.
Shala ishte arrestuar në mars 2021 në Belgjikë dhe ishte transferuar në paraburgim në Hagë, në prill të atij viti.