Sot raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi

Sot në Bruksel pritet të zhvillohen takimet e radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Zyrtarët e BE-së pritet fillimisht që t’i takojnë ndaras kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi si dhe atë të Serbisë Petar Petkoviq, por ende nuk dihet nëse do të ketë takim trepalësh. 

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, ka thënë se ata synojnë që të ketë takim trepalësh por se kjo varet nga vullneti i palëve. 

Këshilltari i kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, ditë më parë ka folur për temat të cilat pitet të diskutohen. 

“Në tërësi, fokus i diskutimeve do të jetë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të Ohrit. Kosova do të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e angazhuar pozitivisht në proces”, ka deklaruar Kadiu.

Nga 2 korriku i këtij viti palët kanë zhvilluar vetëm takime dypalëshe, ku i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka pritur ndaras kryenegociatorët.

Pas takimit të 2 korrikut Bislimi dhe kryenegociatori serb Petar Petkoviq patën dalë me qëndrime të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime.