Sot publikohet koeficienti i pagave


Qeveria ka mbajtur të martën mbledhjen e 122-të të saj në mënyrë elektronike, ku ka miratuar dy vendime.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se njëri prej vendimeve që është marrë për ai për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2023, ku me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është përfshirë në Programin Legjislativ për vitin 2023 edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-193 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023.

Në këtë vendim përfshihet edhe përcaktimi i vlerës së koeficientit të pagave për sektorin publik.

Gjithashtu është marrë edhe vendimi për aprovimin e Programit për Reforma në Ekonomi 2023-2025.

Këto vendime tashmë pritet të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për t’u miratuar nga deputetët dhe më pas për t’u dekretuar nga Presidentja e Kosovës.

Ndërsa i dyti me vendimin për aprovimin e Programit për Reforma në Ekonomi përgjatë periudhës 2023-2025.

Ndërkohë kryeministri Kurti ka thirrur kabinetin e tij qeveritar për një takim të mërkurën (nesër), me fillim nga ora 10:00.

Ftesën për takim, ministrat e kanë marrë në orët e vona të së martës, pas një mbledhje tjetër që u mbajt sonte në mënyrë elektronike, shkruan Reporteri.net.

Ende nuk dihet rendi i ditës, megjithatë pritet që në këtë mbledhje të bëhet i ditur koeficienti i pagave, që deri më sot ka mbetur “mister”.

Ligji për Pagat, i cili është dekretuar në fillim të muajit janar nga Presidentja Vjosa Osmani, pritet të hyjë në fuqi po nesër, më 1 shkurt.

Edhe pse prek mijëra zyrtarë publikë, dhe ndryshimet në paga do të ndodhin duke filluar nga muaji shkurt, Qeveria ka qenë tërësisht jotransparente dhe nuk ka dhënë asnjë informatë se sa do të jetë koeficienti. 

Disa medie kanë raportuar se koeficienti pritet të jetë nën 100 euro, dhe kjo do të thotë ulje e shumicës së pagave, megjithë rritjen e madhe të inflacionit që ka ndodhur në dy vitet e fundit.