Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se më 26 prill do të hapë periudhën e aplikimit për pagesa direkte për kulturat dhe aktivitetet bujqësore, të cilat mbështeten përmes programit të pagesave të subvencioneve për vitin 2022.
Sipas MBPZHR-së, hapja e fazës së aplikimit është mundësuar pas aprovimit të këtij programi dhe ndjekjes së procedurave ligjore për hartimin e udhëzimit administrativ, diskutimit paraprak, diskutimit publik dhe hyrjes në fuqi të këtij akti normativ pas shpalljes në gazetën zyrtare, si dhe pas koordinimit të drejtorive për bujqësi në komuna me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Duke ftuar fermerët që të aplikojnë për mbështetje në kuadër të këtij programi, MBPZHR-ja pati ka theksuar se në kuadër të këtij programi kanë adresuar rritje substanciale të mbështetjes financiare për fermerë me vlerë prej rreth 50 milionë eurosh.
“Përmes Programit për Pagesa Direkte për vitin 2022 kemi planifikuar një buxhet prej 5 milionë euro për subvencionimin e naftës, përkthyer në 0.36 cent për litër dhe 8 milionë euro për inputet bujqësore për plehërim pranveror për 4 kultura bujqësore, grurë të përkthyer në 150 euro për hektarë, misër, patate dhe fasule përkthyer në 100 euro për hektarë”, thekson MBPZHR-ja.
Ndryshe, sipas Ministrisë së Bujqësisë, në kuadër të PPD-së për 2022 është rritur përkrahja me 216 për qind për grurin, 119 për qind për misrin, 118 për qind për pataten dhe fasulen, 85 për qind për perimet për perimet në fushë të hapur, 100 për qind për perimet në sera, 33 për qind për bletët, 26 për qind për kulturat pemëtarë, 25 për qind për mjedrën, 21.6 për qind për farën e grurit, 16 për qind për qumështin sipas cilësisë, si dhe rritje të konsiderueshme për shumicën e sektorëve dhe nën-sektorëve të paraparë me program. /Telegrafi/