Sot përfundon afati i dorëzimit të dokumentacioneve nga biznset e vogla që dëshirojnë të vazhdojnë të jenë pjesë e furnizimit me tarifa të rregulluara nga KESCO. Dokumentet e kërkuara janë certifikata e biznesit me numrin unik dhe shifra e konsumatorit. Në bazë të tyre, vërtetohet që të gjitha ato biznese që nuk i kanë 50+ punëtorë apo 10+ milionë euro qarkullim vjetor, nuk i plotësojnë kushtet për të dalë obligativisht në tregun e hapur.
KESCO njofton që ka pranuar një numër jashtëzakonisht të lartë të aplikimeve nga bizneset dhe procesi i verfikimit do të merr kohë. Aplikimet janë bërë përmes emailit, platformës online të lansuar nga kompania enkas për këtë proces dhe në zyret e kompanisë anëkend Kosovës. Aplikimin mund ta bëni edhe për pak kohë vetëm online në këtë link: https://openmarket.kesco-energy.com/business/create
Ndërkohë, nga 1 qershori, të gjitha bizneset e mëdha që i plotësojnë njërin nga dy parakushtet e cekura më lartë do të dalin në treg të hapur dhe duhet ta zgjedhin vet furnizuesin. Ato do të mund të furnizohen nga KESCO pa tarifa të rregulluara apo nga ndonjë prej operatorëve të licensuar në Kosovë si furnizues.
Liberalizimi i tregut është një proces nëpër të cilin kanë kaluar të gjitha vendet e rajonit. Kosova e kishte nisur atë duke i liberalizuar konsumatorët e kyçur në linjat 110 kV para disa vitesh. Ky proces bazohet në vendimet e ZRrE-së dhe është obligativ për të gjithë operatorët.