Mbi 800 persona kanë marrë trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan pasi dyshohet se kanë pasur simptoma të helmimit.
Ky helmim dyshohet se ka ardhur nga uji i pijes.
E lidhur me këtë shkak sot është deklaruar drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani.
Ramadani në një konferencë për media tha se deri tash analizat laboratorike nuk tregojnë se qytetarët mund të jenë të helmuar nga uji.
Ai tha se aktualisht nga IKSHPK po monitorohen edhe pistat e tjera të mundshme.
“Rezultatet laboratorike që kanë dalë sot flasin për momentin se nuk kemi asnjë pistë të helmimit hidrik. Por, kjo nuk do të thotë se nuk ka infeksione hidrike. Por, kjo do të dal pas analizave permanente si të ujit ashtu edhe të analizave të pacientëve. Do të informohemi me kohë”.
“Të gjitha infeksionet që kanë të bëjnë qoftë me rrugë hidrike, ushqim apo infeksione të tjera janë nën monitorim. Gjithashtu është në hulumtim edhe çështja e ujësjellësit dhe furnizimit me ujë të pijes i cili në vazhdimësi po monitorohet për cilësinë e ujit të pijes”.