Sot dita e fundit për regjistrim të votuesve nga diaspora


Periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht, do të përfundojë sot më 26 dhjetor 2024.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Ekonomia Online se në bazë të të dhënave, nga 29 gusht deri më 25 dhjetor, në orën 13:30, pas aplikimit përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org janë aprovuar 75,211 kërkesa për regjistrim, ndërsa 4,581 janë refuzuar.

“Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre si dhe për mundësinë e ri-aplikimit për regjistrim, duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, tha ai.

Sipas tij, nga 75,211 aplikime të aprovuara, 16,876 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike 11,769 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 46,566 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës.