Këtë mesjavë do të pushojë Liga e Kampionëve, por kjo nuk nënkupton që nuk do të kemi ndeshje derbi.
Sonte më saktësisht na presin dy ballafaqime të mëdha në futbollin evropian.
Dueli kryesor do të luhet në Angli, ku Liverpooli e pret Manchester Unitedin.
“Reds” kanë nevojë për fitore për të mbetur në garë për titull të kampionit.
Ekipi i Jurgen Kloppit po gëzon formë fantastike dhe dëshiron t’i gëzojë prapë tifozët e tij në “Anfield Road”.
Nga ana tjetër, Manchester United me gjasë do të luajë pa Cristiano Ronaldon, i cili mbrëmë e përjetoi një tragjedi familjare pasi e humbi foshnjën e porsalindur.
Sidoqoftë, “Djajtë e Kuq” do të tentojnë të nxjerrin rezultat të favorshëm pasi janë në garë për t’u futur në Top 4.
E ndërkohë, sonte do të luhet edhe një derbi në Itali, shkruan “Gazeta Express”.
Dy pretendentët për titull të kampionit, Interi dhe Milani do të përballen në mes vete në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Italisë.
Të dyja ekipet do ta kërkojnë fitoren për të shkuar në finale dhe për ta rritur vetëbesimin para pesë xhirove të fundit të sezonit.
Të dy derbit e sontëm të futbollit evropian do të fillojnë në orën 21:00.