Me fillim nga ora 18:00 Kosova do ta zhvillojë ndeshjen miqësore kundër Burkina Fasos.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Një ditë më parë trajneri i kombëtares Alain Giresse, ka deklaruar se vlerëson entuziazmin e madh të lojtarëve.
“Jemi pothuajse të gjithë lojtarët në stërvitje. Po them të gjithë sepse i presim edhe disa të tjerë të na bashkohen. Çka kam mësuar më së shumti është entuziazmi, dëshira dhe vullneti për të luajtur dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kam arritur të vërtetoj se ajo që kam parë në video, teknika e lojtarëve, është edhe në realitet. Këto janë disa nga elementet që i kam vlerësuar, por ka edhe pika që mund të përmirësohemi, të jemi më të mirë dhe më efikas. Mbetet punë për t’u bërë, sidomos në rastet kur e kemi posedimin e topit, por edhe puna pa top”.
Ndërkaq kapiteni Amir Rrahmani, tha se ndeshjet e marsit janë të rëndësishme pasi që do të mund të përgatiten sa më mirë për ato të qershorit.
“Jemi përgatitur për të treguar atë që kërkon trajneri për ndeshjen me Burkina Fason. Po ashtu, edhe me Zvicrën, pasi janë ndeshje që na shërbejnë të përgatitemi për Ligën e Kombeve në qershor. Do të jenë dy ndeshje të rëndësishme, pasi do të mund të perfeksionohemi sa më mirë për ndeshjet e qershorit. Pas ndeshjes me Burkina Fason, do të shohim se si kemi luajtur dhe ku mund të përmirësohemi”.
Pas pesë ditësh “Dardanët”, do ta zhvillojnë një tjetër ndeshje miqësore në Zurich kundër Zvicrës.