Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se pas një pune intensive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e Sokol Halilit dhe i njëjti përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten.
Sveçla në postim në Facebook shkruan se Policia e Kosovës si dhe Inspektoriati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatëzënë dhe vetëvrasjes së dorasit.
“Pas një pune intensive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten.
Policia e Kosovës si dhe Inspektoriati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatëzënë dhe vetëvrasjes së dorasit”, shkruan Sveçla.
Viktima ishte në javën e 41 të shtatzënisë në momentin kur është qëlluar për vdekje me armë zjarri.
Vrasja e saj ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Të premten në Prishtinë është mbajtur një protestë ku është kërkuar që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare.
Vrasja e shtatzënës është e dyta e ngjashme brenda pak ditësh në Kosovë. Më 30 nëntor në Prishtinë një grua 63-vjeçare është vrarë me sëpatë nga bashkëshorti i saj, 70-vjeçar.