Gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi aktgjykimin dënues që Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur ndaj ish-kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota dhe ish-nënkryetarit të saj, Enver Berisha.
Ata janë dënuar me nga 6 muaj burgim me kusht dhe nga 1 mijë e 200 euro gjobë për mosraportim të pasurisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në një komunikatë për media, Apeli ka njoftuar se kolegji i gjyqtarëve nga Divizioni Penal i Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës së Apelit të Kosovës i ka refuzuar si të pabazuara ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe ankesat e mbrojtësve të Bashotës e Berishës, ndërsa e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.
“Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të akuzuarit S.B. dhe E.B., secili veç e veç janë shpallur fajtor për shkak të veprave penale mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve tjera financiare, nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK dhe ndaj secilit prej të akuzuarve është shqiptuar dënimi me burgim, në kohëzgjatje prej nga 6 (gjashtë) muajve, të cilat dënime nuk do të ekzekutohen, nëse të akuzuarit në afatin prej 1 (një) viti, nuk kryejnë vepra tjera penale. Gjithashtu, ndaj të akuzuarve në fjalë, janë shqiptuar edhe dënime me gjobë, në shumë prej nga 1,200.00 Euro, të cilat dënimet, të akuzuarit do t’i paguajnë në afat prej 15 ditëve, nga dita kur ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë.”, thuhet në njoftim.
Sipas komunikatës, kolegji i gjyqtarëve i Gjykatës së Apelit të Kosovës ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë drejtë ka vepruar kur të akuzuarit i ka shpallur fajtor për shkak të veprave penale të lartcekura, ndërsa aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë në asnjë shkelje ligjore.
Ndryshe, aktgjykimi ndaj Bashotës dhe Berishës ishte shpallur më 19 shkurt të këtij viti.
Prokuroria e ngarkonte ish-kryetarin e Klinës, Sokol Bashota dhe ish-nënkryetarin e Klinës, Enver Berisha, me veprën penale “mos-raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Ata akuzoheshin se në periudhën janar 2009 e deri në qershor 2016, nuk kanë përfshirë të dhënat ose informacionet, kur kanë paraqitur deklarimet e tyre pasurore në Agjencinë Kundër Korrupsionit. /BetimipërDrejtësi/