Skenarët për ulëset në Kuvend sipas votave të diasporës

Ndarja e ulëseve të kuvendit është në dorë të diasporës. Nëse Lëvizja Vetëvendosje fiton përafërsisht përqindjen e njëjtë sikurse katër vite më parë, mund të shtojë katër mandate nga sa ka aktualisht. Nëse kjo përqindje ndryshon pozitivisht për partitë opozitate, partia e Kurtit rrezikon të humbë edhe një mandat. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se 84 mijë e 64 është numri i saktë i votave nga diaspora për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Votat e diasporës sivjet vlerësohet se janë vendimtare në ndarjen e ulëseve në Kuvend.

Gjithsej 104 mijë votues nga diaspora ishin regjistruar për votimet e 9 shkurtit. Pra, 80 për qind e votuesve të regjistruar jashtë vendit, kanë marrë pjesë në këto zgjedhje.

Në një krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, në këto zgjedhje parlamentare numri i votave nga diaspora është dukshëm më i madh.

Në zgjedhjet e kaluara, votimi ishte mundësuar me postë dhe sipas KQZ-së, ishin 56 mijë e 368 vota. Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë 44 mijë e 252 vota, apo 78 për qind të tyre, ndërkaq në pozitën e dytë kishte dalë PDK-ja me 5 mijë e 321 vota, shkruan Paparaci.

Në renditje si e treta ishte LDK-ja me 4 mijë e 287 vota, ndërsa e katërta ishte AAK-ja me 1 mijë e 112 vota.

Pa u numëruar votat nga diaspora, VV-ja aktualisht ka 47 ulëse, PDK-ja 25, LDK-ja 20, AAK-ja 8 ndërsa Lista Serbe 9.

Në një projeksion, Demokracia në Veprim ka parashikuar se nëse VV-ja fiton rreth 60 për qind të votave jashtë vendit, mund të marrë deri në dy ulëse shtesë, duke arritur në 49 deputetë.

Ndërkaq, në rast se siguron 75 për qind të votave jashtë Kosovës, një përqindje kjo e përafërt me 78 përqindëshin e arritur nga këto vota më 2021, LVV-ja mund të arrijë deri në 51 deputetë.

Një variant negativ sipas DnV-së është kur VV-ja mund të marrë më pak se 50 për qind të votave të diasporës, atëherë mund të bjerë në 46 ulëse. Krejt kjo varet nga performanca e partive deri tani opozitare në votat e diasporës.

Sipas një përllogaritje të thjeshtë, nga 84 mijë votat e konfirmuara të diasporës, Vetëvendosjes do t’i duhen mbi 58 mijë prej tyre për të përsëritur rezultatin e vitit 2021 dhe për të arritur në kuotën e 51 ulëseve të fituara në kuvendin e ardhshëm.

Nëse partia e kryeministrit në detyrë s’arrin të përsëris këtë rezultat dhe nëse votat e diasporës i përgjigjen trendit të rënies së Vetëvendosjes nga votat e brendshme, atëherë Vetëvendosje rrezikon të humb një mandat nga 47 sa llogaritet t’i ketë aktualisht.

Kjo ndodh nëse Vetëvendosje nuk arrin të fitojë së paku 42 mijë nga 84 mijë votat e diasporës.

Megjithatë, numri prej 84 mijë votave pritet t’i nënshtrohen një procesi verifikimi para se të konsiderohen të vlefshme për numërim. /Paparaci.com/