Lionel Messi e fillon Kupën e Botës që e përcakton trashëgiminë e tij, me ndeshjen ndaj kundërshtares më të dobët të Argjentinës në Katar. Në seri prej 36 ndeshjeve pa humbje, Argjentina e hap fazën grupore të martën ndaj Arabisë Saudite, përfaqësuesen e dytë më së ulëti të ranguar në turne. Ndeshja zhvillohet prej orës 11:00.
Duket një mundësi e mirë e Messit që t’i afrohet shifrës jubilare të golave me Argjentinën. Ai ka 91 gola deri më tani. Cristiano Ronaldo i ka 117 gola.
Selektori i Argjentinës, Lionel Scaloni mund ta trajtojë me kujdes superyllin Messi në këtë ndeshje. Gjendja fizike e Messit është përcjellë me vëmendje në fazën përgatitore.
Messi ka stërvitur i vetëm të premten dhe të shtunën për “mbingarkesë muskulore”. Kjo ngjalli dyshime nëse Messi do të luajë 90 minuta ndaj Arabisë Saudite. Por vetë Messi të hënën në konferencë për shtyp tha se “është shumë mirë fizikisht, në gjendje të mirë”.
“Asnjë problem”, tha Messi. “Kam dëgjuar se kishte zëra që duhej të humbja një pjesë të stërvitjes ose që isha larg skuadrës për shkak të një goditjeje. Por nuk ka asgjë të pazakontë”.
Ai megjithatë, mund të mos jetë i nevojshëm gjatë tërë ndeshjes ndaj Arabisë Saudite.
Arabia Saudite ka kaluar lehtë kualifikimet aziatike, por ka dështuar vazhdimisht në skenën e madhe. Ka arritur në një të tetën e finales vetëm një herë në pesë paraqitje në Kupën e Botës. Para katër vjetësh në ndeshjen hapëse, Arabia Saudite ishte mposhtur 5:0 nga nikoqirja Rusia.
Katër vjet më parë, Argjentina nisi kampanjën me barazim dëshpërues, 1:1 ndaj Islandës. Në atë ndeshje Messi humbi penallti dhe kjo menjëherë solli presion tek argjentinasit. Një situatë të tillë Argjentina është e vendosur që ta shmangë këtë herë.
“E humba penalltinë, barazuam dhe më pas erdhi tollovia. Ndeshja e parë është vendimtare pasi nëse luajmë ndaj Meksikës me tri pikë në konto, do të jetë më ndryshe”, ka thënë Messi.
Ka pak gjasa që Argjentina të dështojë këtë herë. Argjentina ka fituar Copa American vitin e kaluar, suksesi i parë i madh ndërkombëtar për 28 vjet. Po ashtu ka rekordin nacional për ndeshje pa humbje dhe i është afruar rekordit botëror të Italisë.
Scaloni ka balancuar ekipin në mënyrë shumë të mirë. Dhe tashmë Argjentina sërish vlerësohet prej më të mirave në botë.
Messi qartë se është ylli kryesor. Ai po synon titullin e botës për t’u konfirmuar lojtari më i mirë në histori.
“Me gjasë është Botërori im i fundit”, ka thënë Messi më herët. “Rasti i fundit për të bërë realitet ëndrrën time, ëndrrën tonë”.
Messi do të bëhet lojtari i parë argjentinas që paraqitet në pesë edicione të Kupës së Botës.
Arabia Saudite do të ketë përkrahje të madhe në Botëror, pasi është në kufi me Katarin.
Nën drejtimin e francezit Herve Renard, sauditët kanë qenë në përgatitje për javë të tëra. Kampionati vendor u ndal që lojtarët të përgatiten për Kupën e Botës. Po ashtu lojtarët u vizituan nga princi Mohammed bin Salman.
“Ishte shumë pozitive”, ka Renard të hënën. “Ishte shumë e rëndësishme të dëgjojmë liderin tonë para udhëtimit në turne. Nuk kemi ardhur në Botëror vetëm për festë. Kemi ardhur që të paraqitemi sa më mirë që është e mundur. Shpresojmë që të gjithë sauditët në stadium të jenë krenarë për ne. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka shtuar selektori i Arabisë Saudite.