Kanë kaluar tre muaj qëkur Anel Rashkaj luajti minutat e fundit për skuadrën SJK Seinajoki në Finlandë. Kishte luajtur 11 minuta në fitoren ndaj Inter Turkut, në kuadër të elitës së futbollit finlandez. Për Rashkajn do të jenë edhe minutat e fundit për klubin finlandez.
Ai të enjten për KOHËN thotë se ka refuzuar vazhdimin e kontratës dhe se karrierën do ta vazhdojë në Suedi.
Në fakt Rashkaj, që SJK-së iu bashkua në muajin shkurt, kishte kontratë vetëm deri në fund të këtij viti.
Rashkaj, 31-vjeçar, nuk është futbollisti i vetëm i përfaqësueses së Kosovës që ka kontratë vetëm deri në fund të këtij viti. Kontrata më 31 dhjetor u skadon edhe dy futbollistëve të Kosovës që luajnë në Norvegji, Elbasan Rashanit dhe Herolind Shalës. KOHA mëson se edhe Shala ka refuzuar ta vazhdojë kontratën me Valerengan, derisa për Rashanin nuk është raportuar nëse ka vendosur ta vazhdojë me Oddin. Edhe kandidati për përfaqësuese, Zymer Bytyqi, është raportuar se me t’i përfunduar në dhjetor kontrata, do të largohet nga Vikingu. Për të është raportuar se ka interesim nga klube në Austri.
Futbollisti i lindur në Prizren, Rashkaj, thotë për KOHËN se lëvizja në drejtim të Finlandës nuk ka qenë siç ka pritur.
“Nuk kam luajtur në ndeshjet e fundit, sepse në fund të muajit të shkuar më ka skaduar kontrata dhe klubi pasi e ka mësuar se unë nuk do ta vazhdoj kontratën, ka preferuar t’i angazhojë të rinjtë apo ata që kanë kontrata më gjatë. Nuk e di, mendoj se lëvizja në Finlandë nuk ishte e duhur, pasi niveli i futbollit nuk ka qenë ai që kam pritur edhe pse klubi ka qenë shumë profesional dhe kushtet e ofruara ishin shumë të mira për një lojtar”, ka thënë Rashkaj.
Edhe pse nuk luante shumë te SJK-ja, Rashkaj pati marrë ftesë nga Kosova për ndeshjet e fundit. Madje pati luajtur edhe 56 minuta për Kosovën që nxori një pikë të madhe në udhëtim ndaj Greqisë në tetor, në kuadër të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve.
Rashkaj në Suedi ka bërë karrierë te Halmstadi dhe Eskilstuna, derisa ka luajtur në Norvegji për Sandnesin. Ai shkurt qëndroi edhe te skuadra e Prishtinës.
Rashkaj do të luajë sërish në kampionatin suedez.
“Kam oferta, por duhet ta zgjedh njërën prej tyre, një klub që ka projekt të mirë. Natyrisht që do të kthehesha në Suedi sepse atje e njoh mirë ligën dhe klubet e po ashtu do të më përshtatej shumë për familje. Nuk e përjashtoj mundësinë e kthimit në Suedi, por jam në pritje dhe nuk do të ngutem”, ka theksuar Rashkaj.
Ai ka thënë se ky vit u ka prishur shumë plane atij dhe sportistëve në përgjithësi.
“Ky vit ka qenë i çuditshëm në përgjithësi për shkak të virusit dhe tërë kohën ishim në stres, sepse nuk dihej asgjë. Virusi ndikoi edhe te Kosova, ku nuk patëm rezultatet që i kemi pritur”, ka thënë Rashkaj.
Më mirë se Rashkajt i ka ecur Rashanit, që të mërkurën dha asistin e gjashtë të këtij edicioni, derisa ka shënuar dy gola.
Ndërkohë dy gola në Norvegji për Valerengan në 26 ndeshje i ka shënuar Shala. Ai ka asistuar edhe katër herë. Shala nuk ka dashur të komentojë për të ardhmen e tij, por ka lënë të kuptohet se do të largohet.
Por largimin e Bytyqit, që në 28 paraqitje për Vikingun ka dhjetë gola e 12 asistime, e kanë bërë të ditur mediumet norvegjeze. Kanë raportuar se karrierën do ta vazhdojë në elitën e futbollit të Austrisë.
Menaxheri i përfaqësueses, Bajram Shala, për KOHËN më herët ka thënë se do të shohin se si do të jetë situata me lojtarët që kanë ndërruar apo që do të ndërrojnë mjedisin.