Një procedurë përmbarimore, për një borxh rreth 250 mijë euro mes dy kompanive private, ka ngritur dyshime për shkelje të kompetencave nga një gjyqtar në Gjilan, për shkak të mos-zbatimit të vendimit të Gjykatës së Apelit dhe ligjit.
Kompania “Vatani Sh.P.K” në cilësinë e debitorit, ka kërkuar nga Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan Ramiz Azizi, që të iniciohet procedurë disiplinore ndaj gjyqtarit Gazmend Ajvazi, nën arsyetimin se është përfshirë në shkelje të ligjit në një lëndë përmbarimore mes dy personave juridike/kompanive private, duke mos zbatuar vendimin e gjykatës së Apelit, konform nenit 17 të LPP-s lidhur me nenin 199 të LPK-s.
Në pyetje janë rreth 250 mijë euro, raporton Paparaci.
Prapësimi i Kompanisë Vatani SHPK pa caktuar fare seancën për validitetin e prapësimit, u refuzua si e pabazuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, përmes gjyqtarit Gazmend Ajvazi edhe përkundër faktit se Gjykata e Apelit të Kosovës në Prishtinë me aktvendim, sipas ankesës së kreditorit kishte udhëzuar gjykatën e shkallës së parë që të hapë seancën për validitetin e prapësimit dhe më pas të vërtetojë validitetin e faturave dhe të vërtetojë autenticitetin e faturave, përkatësisht a ka ndonjë raport juridik në mesë këtyre subjekteve juridike.
Çka gjyqtari në fjalë nuk iu bind aktvendimit të lartcekur dhe ligjit të procedurës përmbarimore dhe kontestimore, duke i dhënë të drejtë kreditorit “Bitex Sh.P.K” që të ekzekutojë një borxh në vlerë të kryegjësë prej 246.015,25 Euro, së bashku me kamatën ligjore dhe shpenzimeve të procedurës përmbarimore.
Të vetë cilësuar nga kreditori që pretendon se, ia ka detyrim kompania “Vatani Sh.P.K”, mbi bazën e disa faturave fiktive që argumenton debitori që ia kishte lëshuar Bitexi SHPK, subjektit juridik në fjalë Vatanit SHPK, në periudhën kohore kur pronarët e këtyre subjekteve juridike kanë qenë ortak faktik për rreth 23 vite, para ndarjes së tyre që ka ndodhur në vitin 2016/2017.
Paparaci ka siguruar dosjen e plotë të rastit. Vendimet janë marrë përgjatë katër (4) viteve të fundit.
“Bitex Sh.P.K”, si kreditor në këtë procedurë kishte paraqitur propozim për përmbarim te përmbaruesi privat ndaj debitorit “Vatani SHPK”, ku ky propozim ishte lejuar sipas urdhrit Përmbarimor të 26 shtatorit, 2018. Ndërsa, debitori “Vatani SHPK”, kishte paraqitur prapësim dhe parashtresat, kishte kërkuar për caktimin e seancës së validitetit të prapësimit.
Gjyqtari i çështjes Gazmend Ajvazi, fillimisht pa hapur seancë dhe pa vërtetuar autenticitetin e lëshimit të faturave në shumë kaq të larta dhe duke marrë për bazë rrethanat e rastit të çështjes, për të cilat e kishte njoftuar debitori se këto fatura nuk janë lëshuar në mënyrë të rregullt dhe nuk është dërguar asnjëherë mall sipas këtyre faturave, prapë se prapë gjyqtari në fjalë në mënyrë të njëanshme nuk merr për bazë thëniet e debitorit dhe duke shkelur ligjin, refuzon prapësimin e kompanisë “Vatani SHPK” si të pabazuar.
Kompania “Vatani SHPK”, përmes avokatit Avni Leci kishte paraqit ankesë dhe me të drejtë Gjykata e Apelit të Kosovës në Prishtinë, aprovon ankesën e kësaj kompanie si të bazuar, e prish aktvendimin e marrë nga gjyqtari në fjalë dhe e kthen lëndën në rigjykim dhe rivendosje, duke urdhëruar gjykatën e shkallës së parë që t’i eliminoj shkeljet procedurale, të hap seancë për validitetin e prapësimit, të vërtetoj autenticitetin e faturave dhe raportet juridike në mes dy palëve ndërgjyqëse.
Gjyqtari në fjalë Gazmend Ajvazi, edhe për kundër faktit se ka detyrim ligjor që t’i përmbahet vendimit të Gjykatës së Apelit, në rastet kur kthehet çështja në rivendosje. Duke qenë i njëanshëm sipas pretendimit të kompanisë “Vatani SHPK”, përsëri vendos njësoj pa hapur fare seancë dhe pa eliminuar shkeljet që ka bërë me vendimin paraprak, duke i dhënë të drejtë kreditorit “Bitex SHPK” që të bëjë ekzekutimin e borxhit sipas urdhrit të përmbaruesit privat.
Sipas vendimit të gjykatës, më 20 shtator të 2020-s, përsëri është arsyetuar vendimi se faturat në të cilat është lejuar Urdhri Përmbarimor janë të rregullta dhe të njëjtat janë pranuar ana e debitorit dhe janë nënshkruar. Kjo tregon se kreditori dhe debitori kanë pasur raport afarist mes veti dhe shuma e borxhit është rezultat i mos-pagesës së faturave.
Ata nuk kanë qenë asnjëherë raport ortakërie. Kjo sipas Gjykatës, mund të vërtetohet në bazë të shënimeve të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK). Ata kanë qenë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe të ndarë si subjekte, juridikisht nga aksionarët. Duke mos marrë për bazë fare pretendimet e kompanisë “Vatani SHPK”, e të cilat asnjëherë nuk janë mohuar nga pronari “Bitex SHPK”, se të njëjtit pronar kanë qenë ortak dhe aksionar të përbashkët faktik në këto dy kompani.
Gjykata vlerësoi se “prapësimi i përfaqësuesit të debitorit është i pabazuar për shkak se i njëjti nuk përmbush asnjë nga kushtet e parapara”.
Më pas, në vendim është bërë e ditur kjo sepse “faturat të cilat janë lëshuar nga kreditori që gjenden në shkresat e lëndët janë të besueshme-titull ekzekutiv”.
Kompania “Vatani” nuk u ndal me kaq. Ajo iu drejtua përsëri Gjykatës Themelore. Ushtroi ankesë te Kryetari i kësaj gjykate për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit Ajvazi.
Kësaj radhe, pretendimet e ndërmarrjes janë se Gazmend Ajvazi, në cilësinë e gjyqtarit të çështjes në këtë lëndë përmbarimore, nuk kishte zbatuar vendimin e Gjykatës së Apelit dhe ligjin, si dhe me këto veprime arbitrare ka dëmtuar direkt kompaninë Vatani.
Kryetari i Gjykatës, Ramiz Azizi, çuditërisht nuk ka gjetur se ankesa e personit juridik “Vatani SH.P.K”, është e bazuar dhe se nuk plotësohen kushtet për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit në fjalë. Edhe përkundër faktit se në bazë ligjit, ky gjyqtar ka pas obligim ligjor të ndërmarr veprimet procedurale, sipas vendimit të Apelit.
“Pretendimet e palës ankuese nuk u mbështetën me asnjë fakt dhe është i paqëndrueshëm konstatimi se gjyqtari i çështjes me veprimet e tij kishte shkelur parimin e barazisë së palëve në procedurë duke mos i trajtuar sipas ligjit”, thuhet në vendimin e Gjykatës të marr nga Kryetari i kësaj Gjykate, duke mos dërguar fare lëndën në këshillin gjyqësor për të vendosur lidhur me ankesën e palës debitore Vatani SHPK, siç kishte kërkuar kompania në fjalë në ankesë.
Për këtë çështje, mediumi Paparaci, ka kontaktuar me Gjykatën Themelore të Gjilanit dhe të njëjtit kanë thënë se nuk mund t’i komentojnë vendimet e gjyqtarit, pasi
Gjykata e Apelit, e ka kompetencën të shqyrtojë vendimin e gjyqtarit, se a ka vendosur drejtë dhe në bazë të ligjit, tani për herën e dytë.
“Gjyqtari ka nxjerrë aktvendim në bazë të provave dhe shkresat e lëndës. Gjyqtari
është i pavarur dhe është në diskrecionin e tij të vendos për lëndën e vet”, thuhet në përgjigjen nga kjo instancë e drejtësisë.
Mes tjerash, në përgjigje është thënë se kryetari i gjykatës ka gjetur se nuk është përmbushur asnjëra nga pikat e parapara në nenin 5 paragrafi të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore për Prokurorë dhe Gjyqtarë.
“Andaj konform nenit 9 paragrafi 6 të po të njëjtit ligj pasi që ka gjetur se ankesa është dukshëm joserioze dhe e pabazuar, ka vendosur si në dispozitiv të këtij aktvendimi, duke e refuzuar si të pabazuar”.
Vendimi i Kryetarit të Gjykatës Themelore të Gjilanit, për refuzimin e ankesës së “Vatani SH.P.K” për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit Gazmend Ajvazi, është juridikisht skandaloz për kompaninë në fjalë pasi që haptazi paraqet pa siguri juridike në Kosovë.
Pasi që po shkelet direkt ligji nga ana e Gjyqtarit në fjalë, duke shfrytëzuar autoritetin/pozitën e gjyqtarit dhe i njëjti nuk përfill fare vendimin e Apelit, ndërsa Kryetari i kësaj Gjykate hesht dhe të njëjta veprime të gjyqtarit i legjitimon, duke mos ia dërguar këshillit gjyqësor ankesën dhe më pas nga paneli hetimor, të hetohen veprimet e gjyqtarit për shkeljet disiplinore që i ka bërë. /Paparaci.com