S’ka zmbrapsje nga vendimi për shtrenjtimin e rrymës

Ka mbetur vetëm edhe një ditë kohë që institucionet, qytetarët dhe organizatat t’i dërgojnë komentet dhe sugjerimet e tyre rreth kërkesës për shtrenjtimin e energjisë elektrike. 

Deri të mërkurën asnjë nga institucionet shtetërore nuk ka dërguar komente dhe sugjerime në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Për dallim nga to, reagime pati nga konsumatorët të cilët kanë nisur përgatitjet për protesta.

“Deri më tani, ne nuk kemi pranuar komente zyrtare nga institucionet shtetërore, organizatat jo qeveritare dhe as nga ndërmarrjet e licencuara që operojnë në fushën e energjisë elektrike. Megjithatë, kemi marrë një numër të konsiderueshëm reagimesh nga konsumatorët, të cilët kanë shprehur shqetësime dhe kundërshtime ndaj mundësisë së rritjes së tarifave të energjisë elektrike”, i ka thënë RTK-së nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Nga Ministria e Ekonomisë patën thënë se ZRRE është institucion i pavarur i cili cakton tarifat e energjisë.

Ndërkaq, qytetarët tashmë kanë nisur përgatitjet për protesta, teksa kanë paralajmëruar se nuk do t’i paguajnë faturat me rritje.

Shqetësime po vazhdojnë të ngritin edhe përfaqësues të bizneseve në vend, të cilët kanë paralajmëruar ngritje të çmimeve të produkteve në rast se shtrenjtohen tarifat.

Njohës të ekonomisë e kanë cilësuar të pashmangshme ngritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Me gjithë reagimet e shumta rreth kërkesës së ZRRE-së, ky institucion është arsyetuar me rritjen e importit të energjisë.