Situata e sigurisë në veri mbetet e brishtë

Situata e sigurisë në veri të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë sikurse edhe në ditët e kaluara, thanë të martën nga Policia e Kosovës.

Ata konfirmuan për Rel se “barrikadat mbeten në vendet e njëjta”, por nuk dhanë më shumë detaje.

Disa serbë lokalë, që nga 10 dhjetori, kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Barrikadat janë ngritur pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka qenë i përfshirë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar më 12 dhjetor se Pantiqit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, konfirmoi se një patrullë e tij vëzhguese në Rudarë – pjesa veriore e Kosovës – u sulmua me shok-bombë mbrëmjen e 10 dhjetorit nga, siç u tha, persona të armatosur. Komuniteti ndërkombëtar e dënoi këtë sulm.

Sulme pati edhe mbi Policinë e Kosovës, ashtu si edhe disa shkëmbime me armë zjarri. Autoritetet e Kosovës fajësuan “bandat kriminale”, të udhëhequra nga Beogradi.