Sipas Hamzës, PDK-ja do të vazhdojë të jetë opozitë e Qeverisë, por jo e shtetit

Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë me dije se kjo parti do të vazhdojë të jetë opozitë.

Ai ka deklaruar se nuk ka asgjë konkrete rreth mundësisë që kjo parti t’i bashkohet koalicionit aktual qeverisës.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Hamza ka thënë se PDK-ja është opozitë parimore e qeverisë dhe jo opozitë e shtetit të Kosovës.

“Ne e kemi deklaruar rolin tonë në opozitë, nuk kemi diçka konkrete në këtë drejtim. Pa pasur diçka konkrete, ne vazhdojmë të jemi parti opozitare dhe ta luajmë rolin që na takon. Pra, do të jemi opozitë e fortë aty ku ka nevojë që të jemi të tillë. Por, ne nuk jemi opozitë ku është interesi i vendit dhe qytetarëve të Kosovës. Pra, ne jemi opozitë, por qëndrimet tona janë parimore”, ka thënë Hamza.

Ai ka treguar se deri më tani asnjëherë në strukturat partiake nuk është diskutuar çështja e futjes së PDK-së në qeveri. “Në strukturat zyrtare udhëheqëse të PDK-së asnjëherë nuk është diskutuar kjo çështje, sepse nuk kemi pasur diçka konkrete që të bisedojmë. Pra, në kryesinë e PDK-së dhe në Grupin parlamentar të PDK-së nuk është diskutuar kjo çështje”, është shprehur ai.

Shefi i grupit parlamentar i PDK-së ka kritikuar ish-qeverinë Kurti dhe tani qeverinë Hoti për dëmet që ia kanë sjellë vendit. Hamza ka thënë se këto qeveri nuk janë sjellë në nivelin e përgjegjësisë me sfidat me të cilat është përballur Kosova gjatë kësaj kohe.

“Partitë që fituan zgjedhjet vitin e kaluar kanë folur me pompozitet, duke e quajtur veten si koalicion i shpresës dhe sot shohin se nuk ishte ashtu. Realisht veprimet që janë bërë nga partnerët e koalicionit e kanë dëmtuar vendin. Pra, kanë dëmtuar interesat e vendit, kryesisht në përballje me pandeminë dhe në aspektin shëndetësor”, është shprehur ai.

Hamza ka kritikuar projektin e qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike, duke thënë se iniciativa e PDK-së është më e mirë.

“PDK-ja iniciativat ligjore për këtë çështje në Kuvendin e Kosovës i ka pasur nga fillimi i muajit prill, të cilat janë më përmbajtjesore se iniciativat e tjera, të cilat përmes pengesave administrative dhe burokratike janë vonuar deri tash dhe nuk janë futur në procedurë në Kuvend. Tani në disa seanca janë në rend të ditës, ku janë përfunduar diskutimet, por realisht nuk po ka vullnet politik prej partive të tjera politike që t’i përkrahë iniciativat ligjore të cilat i ka propozuar Partia Demokratike e Kosovës”, ka thënë Hamza.