Sindikatat në pritje të vendimit për Ligjin e Pagave, paralajmërojnë tensione nëse vendimi nuk është pozitiv

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës, Sindikata e Shëndetësisë dhe ajo e Zjarrfikëseve presin një vendim meritorë nga Gjykata Kushtetuese për Ligjin e Pagave, në të kundërtën do të ketë tensione.

Kreu i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj ka thënë për lajmi.net se presin që vendimi i Kushtetueses të jetë pozitivë në të kundërtën do të marrin masa në bashkëpunim me sindikatat e tjera.

“Po, ne që nga fillim edhe tash pas takimeve që i kemi pasur me Avokatin e Popullit kemi kërkuar që të sqarojë çka ka goditur, cilat pika i ka goditur. Ai na ka thënë që nga fillimi se sa i përket koeficienteve nuk ka vrejtje, por ka kërkuar nga Kushtetuesja që të ketë parasysh ajo pjesa që për punë të njëjtë të këtë pagës të njëjtë dhe ne po themi edhe SBASHK-u po edhe sindikatat tjera që bashkëpunojmë, e Shëndetësisë, e Policisë e Doganave e Zjarrfikësve. Presim që Kushtetuesja më në fund pas dy pezullimeve të sjell verdikt meritorë. E ne besojmë që ai verdikt meritor do të jetë që Kushtetuesja do të ketë qëndrim pozitiv dhe do të mundësoj që të fillojë së implementuari ligji i pagave, pastaj mbase pikat e goditura që mund të kenë rëndë në kundërshtim me ligjet apo kushtetuesen, pastaj Parlamenti do t’i sqarojë dhe do t’i përmirësoj gradualisht”, ka thënë Jasharaj.

Sipas tij, nuk do të ishte mirë që Gjykata Kushtetuese të vendos kundër këtij ligji, pasi ai i ka kaluar të gjitha procedurat dhe siç tha ai, mund të ketë eventualisht ndonjë defekt të vogël.

“Për momentin nuk mund të thënë ndonjë gjë shumë konkrete, pavarësisht si do të jetë vendimi. Ne do të komunikojmë më anëtarësinë tonë dhe me sindikatat e tjetra,  pastaj do të shohim çka do të bëjmë. Por SBASHK-u si zakonisht vepron ashtu siç thonë anëtarësia. Po them nuk do të ishte mirë që Gjykata të vendos kundër këtij ligji, pasi ai i ka kaluar të gjitha procedurat dhe po them mund të ketë eventualisht një defekt të vogël, por ligji si ligj nuk besoje se është antikushtetues. Urojë që Kushtetuesja mos të vazhdojë me pezullime të reja, sepse i ka bërë dy pezullime, gjegjësisht është pezulluar ligji tani e 6 muaj”, ka thënë Jasharaj.

Edhe Kreu i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla ka thënë për lajmi.net se nuk do të rrinë duarkryq nëse eventualisht Kushtetuesja e pezullon Ligjin e Pagave ose vendos kundër kërkesave të tyre.

Syla ka thënë se do ta presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nëse nuk ndodh kjo, siç tha ai presin që Qeveria të reflektojë

“Nuk dua të paragjykojë, ajo çka e dini edhe ju një ditë më parë kemi bërë një kërkesë drejtuar Qeverisë që në rishikim të buxhetit të përfshihen mjetet për vendimin eventual të implementimit të ligjit për pagat. Nuk dua të paragjykoj se çka do të ndodh mirëpo ajo çka është e vërtet është stërzgjatur kjo storie. Punëtorët shëndetësor janë të stërlodhur dhe të stërngarkuar dhe të zhgënjyer. Mundësia është që qeveria aktuale të këqyr rritjen e pagave deri në aprovimin e këtij ligji. Gjithsesi nuk do të rrimë duarkryq, sepse që 4 vite nuk kemi lëvizje fare, edhe sot që në këtë kohë pa dashur me shfrytëzua kohën e pandemisë, punëtorët shëndetësor janë të stërlodhur me pritje. Pra kemi planin A një që presim vendimin e Gjykatës dhe 2 presim që Qeveria të reflektojë nëse nuk ndodh kjo”, ka thënë Syla.

Ndërsa, kreu i sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, deklaroi për lajmi.net se zjarrfikësit janë kategoria më e diskriminuar në vend. Ai tha se presin një vendim pozitiv, derisa shton se  nuk do të përjashtojnë asnjë mundësi ligjore që të drejtat t’i realizojnë sipas ligjeve në fuqi.

“Ne presim që të jetë pozitiv sepse çështja tek ne është pak më delikate sesa të gjitha shërbimet tjera, sepse për herë të parë është diçka pozitive që është bërë për zjarrfikësit. Koeficienti ose nivelizimi me shërbime tjera. Pa pas qellim që të ndikojmë në vendimin e Gjykatës, mirëpo Institucionet tona duhet me pas parasysh së ne jemi të diskriminuar do me thënë një koeficient i një zjarrfikësi është 4.83, më i ulëti në nivel vendi, presim vendim pozitiv. Nëse jo ne do të ndjekim hapa të tjerë, të ndërpriten diskriminimet dhe le të nivelizohemi më shërbime tjera”

Beka po ashtu ka thënë se i janë drejtuar Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme më kërkesë që të definohet edhe statusi edhe kompetencat menaxhuese.

“Shpresojmë se do të na kuptojnë, për hapat e tjerë do të analizojmë gjendjen, kërkesat janë të parashtruara me vite. Edhe përgjigja e ish-qeverisjes së kaluar ka qenë pikërisht rritja e koeficientit, tash ligji i pagave po hynë në fuqi edhe është rregulluar kjo. Ne do të kërkojmë me ngulm dhe nuk do të përjashtojmë asnjë mundësi ligjore që të drejtat tona t’i realizojmë sipas ligjeve në fuqi. Do me thënë na jemi punëtor të MPB-së, ndërsa pagat i marrim në komunë, pra kemi mbet as me komunë as me ministri. Njëfarë vakuumi institucional i krijuar. Ne i jemi drejtuar Qeverisë dhe Ministrisë më kërkesë që të definohet edhe statusi edhe kompetencat menaxhuese se kështu më nuk shkon”, ka thënë Beka.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese për herë të dytë e kishte pezulluar Ligjin e Pagave me 30 mars të këtij viti. Dhe pritet të marr një vendim me 30 qershor.

Kërkesa për pezullim të Ligjit, në Kushtetuese ishte bërë pasi Avokati i Popullit ka pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruar kundër Ligjit për paga, duke përfshirë këtu edhe ankesat nga punëtorët në shëndetësi, arsim, polici dhe në shërbimin civil. /Lajmi.net/