Sindikata e Policisë letër Avokatit të Popullit, i kërkon ta dërgojë Ligjin për Paga në Kushtetuese


Sindikata e Policisë së Kosovës i është drejtuar me letër Avokatit të Popullit. Nga ky i fundit kanë kërkuar që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Paga, më saktësisht disa nene të cilat ndërlidhen me policët e Kosovës.

Në këtë letër të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale, Sindikata e Policisë ka kërkuar nga Avokati i Popullit që të dërgohen në Kushtetuese neni 26 lidhur me rrezikshmërinë në punë, neni për kompensimet si dhe shtojca për nënpunësit e shërbimit civil.

“Për më shumë Ligji për Paga nuk saktësosn se në çfarë përqindje shuma e dedikuar për shtesën e rrezikshmërisë do t’i ndahet Policisë së Kosovës, sepse shuma prej 1% është e paraprarë për të gjitha institucionet e Kosovës. Kjo nuk garanton siguri juiridke të trajtimit me ligj të një të drejte të të punësuarve ashtu siç është kompensimi për jetën dhe shëndetin. Siç shihet kjo shtesë do të jetë sibmolike në raport me rrezikimin e jetës dhe shëndetit të zyrtarëve të PK-së si dhe do të ndikojë negativisht në të ardhurat neto për zyrtarët në disa kategori”, thuhet në këtë letër që Sindikata e Policisë e ka dërguar tek Avokati i Popullit.

Sipas Sindikatës, duke ditur se Policia është ndër institucionet me rrezikshmërinë më të lartë, atëherë kompensimi duhet të vlerësohet më shumë.

“Për të ilustruar më detajisht për çfarë arsye është përcaktuar kjo shtesë flasin të dhënat tona se deri më tani në kryerje të detyrës kanë humbur jetën 22 zyrtarë policorë, kanë vdekur në detyrë 322 zyrtarë, 426 zyrtarë policorë janë lënduar, 237 janë të sëmurë në detyrë, aktualisht me sëmundje të veçanta shëndetësore janë 528 zyrtarë policorë. Deri më tani kemi 2250 zyrtarë policorë të cilët kanë dhënë dorëheqje vullnetare nga Policia e Kosovës”, thuhet në këtë letër.

Si rezultat, Sindikata ka kërkuar që ky nen të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese.

Kompensimi për kujdestari, punën gjatë natës dhe jashtë orarit

Një pikë tjetër për të cilën Sindikata po kërkon sqarim nga Gjykata Kushtetuese, është kompensimi për kujdestari, punën gjatë natës dhe jashtë orarit. Sipas Policisë, bazuar në Ligjin për Paga të qeverisë, ky kompensim nuk do të ishte i zbatueshëm pasi nevojat janë shumë më të larta se shtesat.

Policia ka ofruar edhe të dhënat e detajizuara për shumën që janë ndarë ndër vite për punën jashtë orarit, punën me ndërrime si dhe kompensime për vdekjen e një anëtari.

“Siç shihet nga të dhënat më lartë tek kategoria e kompensimeve në Polici gjatë vitit 2022 vetëm për punën jashtë orarit janë ndarë rreth 9% të buxhetit të Policisë dhe gjithashtu vetëm për ndërrimin e natës janë shpenzuar rreth 1.68 milion euro apo 2.10% të buxhetit. Nga kjo shihet qartë se zbatimi i dispozitave të nenit 36 të Ligjit për Paga nënkupton pamundësinë e kompensimit madje vetëm të punës gjatë natës për personelin shëndetësor”, thuhet në letrën e siguruara nga gazeta Nacionale.

“Ne konsiderojmë se kjo duhet të vlerësohet nëse Ligji nuk është në harmoni me Kushtetutën. Kjo përkundër faktit se me dispozitë është paraparë si e drejtë e të punësuarit kompensimi monetar në aspektin praktik një dispozitë e tillë nuk mund të zbatohet. Gjithashtu konsiderojmë se mund të ketë hapësirë për interpretime të ndryshme cili kriter do të vlejë si parim apo prioritet, kompensimi me vlerë monetare dhe si dytësore kompensimi me ditë pushimi apo e kundërta. Nëse në rastin tonë është praktikisht, do të duhej të zbatohej norma në atë mënyrë që zyrtarët do të kompensohen në masën më të madhe me pushim sesa me kompensim material mendojmë se cenon të drejtat e të punësuave të garantuar me Kushtetutë”, thuhet në letër.

Kjo letër ka datën 3 shkurt 2023, dhe Sindikata ia ka përcjellur edhe u.d drejtorit të Policisë së Kosovës, Fehmi Hotit.

Koeficienti

Sindikata e ka vlerësuar se vlera e koeficientit për zyrtarët policorë nuk është përcaktuar në mënyrë të drejtë.

“Ne konsiderojmë se vlerësimi i Klasës dhe Koeficientit të Policisë nuk është bërë në mënyrë të drejtë krahasuar me funksionet e ngjashme në institucionet e tjera. Për t’u siguruar trajtimi i barabartë dhe i drejtë, kategorizimi i personelit policor duhet të shikohet në raport me ato institucione ku është e mundur krahasimi siç janë Institucionet e Zbatimit të Ligjit dhe ato të Sigurisë”, thuhet në letër.

Sindikata ka gjetur dallime të mëdha në përcaktimin e koeficientit me Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Në kuadër të institucioneve sa iu përket gragave, krahasimi më i përafërt mund të bëhet me FSK-në. Nëse krahasohen tabelat nr.5 Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, vërehet dallimi i konsiderueshëm i trajtimit të pabarabartë të gradave. Ky dallim është i theksuar nga niveli më i ulët deri te më i lartë”, theksohet.

Duke u bazuar në këto pika që ka bërë të ditura Sindikata, ata kanë kërkuar që Avokati i Popullit të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

Një gjë të tillë e ka bërë edhe Këshilli Gjyqësor e Prokurorial dhe institucione të tjera të pakënaqura me Ligjin e Pagave.