Sindikata e Minatorëve: S’po kërkojmë diçka, por pagat

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës” ka reaguar lidhur me gjendjen aktuale të minatorëve.

Ata kanë thënë se nuk po kërkojnë diçka jo legjitime, por shpagimin e mundit të tyre e që është ekzekutimi i pagave.

“Kuptojeni nuk jemi duke kërkuar diçka jo legjitime, po e kërkojmë shpagimin e mundit tonë, pra pagën që buron nga Ligji i Punës”, thuhet në reagim.

Sindikata ka thënë se minatorët gjithmonë janë të gatshëm për llogaridhënie, por sipas tyre, minatorët nuk janë ata që duhet të japin llogari për menaxhimin dhe financat e ndërmarrjes. Më tej, thanë se minatorët e kanë dëshmuar përkushtimin e tyre për punën dhe pse sipas tyre, çdo herë kanë qenë të rrezikuar e kjo si pasojë e mungesës së sigurisë në punë.

“Minatorët e kanë dëshmuar me punë dhe përkushtim obligimin qe e kanë pasur, pra prodhimin sa më të lartë edhe pse ne pa kushtet elementare për punë siç është siguria në punë që çdo herë kemi qenë të rrezikuar”, thuhet tutje në reagim.

Sipas tyre, llogaridhënia dhe përgjegjësia duhet të kërkohet nga bordi dhe menaxhmenti.

Ata janë shprehur se është koha që Qeveria të reflektojë sepse minatorët sipas tyre, janë munduar t’i shfaqin pakënaqësitë e tyre me anë të grevave dhe ngujimeve në minierë, transmeton Telegrafi.

Tutje, sindikata ka bërë thirrje që minatorët të mos “dënohen”, por të kërkohet llogari nga ata që “keqmenaxhuan”.