Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, është deklaruar për FrontOnline lidhur me situatën aktuale të punëtorëve në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Ai theksoi se, pas protestës së fundit, nuk ka pasur asnjë takim me menaxhmentin për të diskutuar kërkesat e sindikatës. Llumnica njoftoi se sindikata vendosi të presë deri sot për të krijuar mundësi dialogu dhe për të diskutuar situatën më tej.
‘’Deri më tani nuk kemi pasur takime përveç para protestës që e kemi pasur, pas protestës nuk kemi pasur takime
Ne dje në takimin e Kryesisë së sindikatës së re t KEK-ut kemi marrë vendim që të presim deri sot me qëllim që të krijojmë mundësi dialogimi edhe më tutje, pas 5 nëntorit do të marrim vendim në bazë të statutit sindikal dhe ligjit për greva, ligjit për organizim sindikal me qëllim të realizimit të kërkesave tona’’, tha Llumnica për FrontOnline
Ai shprehu shqetësimin e tij për pagat e ulëta të punëtorëve, duke theksuar se paga e një mjeshtri elektrik është vetëm 676 euro, ndërsa në sektorin privat pagat arrijnë deri në 1,200 euro. Kjo, sipas tij, ka kontribuar në ikjen e kuadrove nga vendi i punës.
“Paga e punëtorit të KEK-ut është më e ulëta në Kosovë bazuar në tregun e punës , nuk po flasim për ata që marrin paga prej nesh pra prej kontributit tonë dhe të qeverisë së Republikë së Kosovës mirëpo po flasim për tregun e punës që një mjeshtër elektrik ka 676 euro pagë e në privat mund t sillet 1100-1200 euro pagë kështu që njerëzit tek ne kanë filluar kuadrot të ikin nga vendi i punës”, tha Llumnica.
Llumnica gjithashtu theksoi rrezikun e lartë që përballen punëtorët e KEK-ut, duke përmendur se çdo vit, rreth 30 punëtorë humbin jetën për shkak të kushteve të rrezikshme të punës. Ai nënvizoi se rrezikshmëria nuk po paguhet siç duhet, ndërsa përmendi premtimet e Bordit të KEK-ut për vlerësimin e rrezikshmërisë që nuk janë realizuar asnjëherë.
Një tjetër çështje e rëndësishme është pagesa e fundjavat për punëtorët me ndërrime, e cila është fituar në gjykata, por që KEK-u ende nuk e zbaton. Llumnica e konsideroi këtë si një shkelje të ligjit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ai përmendi se sindikata është e gatshme të veprojë në përputhje me statutin sindikal dhe ligjin për greva. Pas 8 nëntorit, sindikata do të vendosë për hapat e ardhshëm, duke përfshirë mundësinë e protestave ose grevave nëse kërkesat e punëtorëve nuk plotësohen.
“Pas ditës së sotme do të marrim vendime varësisht nga disponimit të punëtorëve dhe përfaqësuesve sindikalë ka mundësi proteste apo greve, nëse realizohen kërkesat tona është në rregull po nëse nuk plotësohen ne do të vazhdojmë me protesta dhe greva deri në plotësimin e tyre”, përfundoi Llumnica.