Udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës kanë përkujtuar e nderuar familjen Jashari nga vendi ku 27 vjet më parë ata ranë heroikisht. Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, udhëheqësit e kanë ngritur lart kontributin që kjo familja i ka dhënë Kosovës për liri.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se komandanti Adem Jashari e pjesëtarët e tjerë u bënë emblemë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ata luftuan shumë më gjatë sesa vetëm përgjatë viteve të luftës duke u shndërruar në emblemë të UÇK-së dhe duke i shndërruar kullat e Jasharëve në simbol të një kalaje të lirisë që edhe sot e mbron Kosovën, lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin. Nga këtu brezat tanë inspirohen për rrugën përpara, mbrojtjen e lirisë dhe na përkujtohet se sa i lartë ka qenë çmimi i paguar për lirinë tonë”, ka thënë Osmani nga Prekazi.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka theksuar se kombi shqiptar i detyrohet familjes Jashari.
“Familja Jashari është krijuese e UÇK-së, është esenca e UÇK-së dhe ka bërë aktiv më të lartë të sakrificës për lirinë e vendit. Si familje e kanë pasur të mishëruar në shpirtin e tyre një të vërtetë që e ka shpëtuar popullin e Kosovës, e kjo e vërtetë është se liria nuk fitohet pa armë në dorë, duke luftuar, dhe nuk fitohet pa i dhënë dëshmorët e vet. Ne si komb i detyrohemi më së shumti familjes Jashari”, u shpreh Konjufca.
Kurse, kryeministri Albin Kurti ka shtuar se lufta e Jasharëve i dha hov të pandalshëm luftës për çlirim.
“Epopeja e UÇK-së i dha një hov të pandalshëm kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare, shpërthyen demonstrata gjithëpopullore dhe solidaritet ndërmjet shqiptarëve e njëkohësisht u vetëdijesua publiku ndërkombëtar dhe diplomacia botërore. Ata nuk i kemi më fizikisht, por ata kanë vetëm ditëlindje ndërkaq rënia e tyre është Epopeja e UÇK-së. Ndonëse nuk e kemi kryekomandantin, bacën Shaban e Hamzën, e kemi bacën Rifat që do ta vizitojmë, me shtëpinë plot nipa e mbesa dhe mbi të gjitha e kemi Kosovën republikë”, ka thënë Kurti.