Kur u kthyen pas në kohë, në rininë e tyre, nuk munguan të qeshurat.
Por, shfaqja e imazheve nga masakrat më të mëdha të kryera nga serbët në Kosovë, i bëri me lot.
Kështu, herë të lënduar, frikësuar e edhe krenarë, u shfaqen katërshja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në treditëshin e parë të seancave në gjykimin e tyre për krime lufte që po bëhet në Hagë.
Megjithatë, deklarimi i tyre qe i njëjtë kur u pyetën nëse janë përgjegjës për 102 persona të vrarë, mbi 20 të zhdukur, ndalimin e 400 personave dhe 40 qendrave të ndalimit, për çka po i akuzon Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Megjithatë, këtë që e thanë të hënën, krerët e UÇK-së, Hashim Thaci, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi e mbështetën edhe të martën e të mërkurën, në fjalën e tyre pa përgjegjësi ligjore.
“Bota tani e di, sot, si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë”, tha ish-presidenti Hashim Thaçi.
“Gjithmonë kam thënë dhe sot e përsëris: unë nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë”, deklaroi Rexhep Selimi.
Pak më emocional në kësi fjalimi ishte ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, i cili edhe kishte kërkuar më se shumti kohë për këtë punë.
“Në jetën time asnjëherë nuk kam kryer ndonjë vepër kriminale, as para luftës, gjatë luftës e as pas luftës. Kam jetuar me dinjitet dhe kështu dua të vdes”, u shpreh ai.
Gjykimi ndaj katërshes do të vazhdojë më 11 prill, kur Zyra e Prokurorit të Specializuar do të nis paraqitjen e provave kundër të akuzuarve.