Si u bë Christian Erikseni hero i Danimarkës?

Papritur, të shtunën mbrëma në ndeshjen mes Danimarkës dhe Finlandës nuk kishte të bënte me fitore apo humbje. Kishte të bënte me jetën apo vdekjen.

Ylli danez, Christian Eriksen, papritur kolapsoi duke u rrëzuar dhe duke mbetur i shtrirë në fushë. Vetëm intervenimi i shpejtë i mjekëve bëri që Erikseni të mbijetojë.

Të dielën mbrëma, Federata e Futbollit të Danimarkës ka lëshuar një njoftim lidhur me shëndetin e Eriksenit: “Christiani ka përshëndetur bashkëlojtarët e tij. Gjendja e tij është stabile, por ai do të mbetet në spital për kontrollime të mëtejme”.

Por kush është njeriu që u ringjall dhe që na dha tregimin më të bukur të Evropianit, pas minutave të frikës dhe tmerrit?

Nuk ia doli te Barcelona në moshën 15-vjeçare

Eriksen, që është i lindur më 14 shkurt 1992 në Middelfart, në jug të Danimarkës, filloi të godasë topin në moshën dyvjeçare. Dhe e bënte aq mirë, sa që si djalosh konsiderohej prej talenteve më të mëdha të vendit. Në moshën 13-vjeçare ai kaloi te të rinjtë e Odenses. Me 14 vjet ai luajti për ekipin U16 të klubit dhe u votua tekniku më i mirë në Ligën daneze për të rinjtë. Në moshën 15-vjeçare, ai u lejua të luante për Barcelonën e madhe. Erikseni dështoi në një ndeshje testuese. “Kam prekur topin vetëm tri herë për 90 minuta”, ka thënë më vonë ai. “Ishte me gjasë ndeshja ime më e keqe në karrierë”.

Megjithatë, gjërat ecën mbarë për lojtarin që luan me të dy këmbët dhe që ka teknikë të përsosur. Në vend të Barcelonës, ai përfundoi në ekipin e të rinjve të Ajax Amsterdamit, ku e bëri debutimin profesional në moshën 17-vjeçare.

Në vitin 2013, Tottenham Hotspur pagoi shumë të lartë për danezin 21-vjeçar. Ai transferohet në Premier League ku rritet në yll të futbollit.

Në Danimarkë është “Mbreti Christian”

Në Danimarkë, ai shpejt u bë shumë i pëlqyer dhe i admiruar. Pasi e dërgoi Danimarkën në Botërorin 2018 me “hat-trick” në ndeshjen e plejofit ndaj Irlandës, ai quhet “Mbreti Kristian” dhe është hero popullor për danezët.

Eriksen mbeti modest me gjithë suksesin e tij.

“Unë ende jam Christiani nga Middelfart”, kishte thënë Eriksen pas atij tregolëshi.

Derisa shumë lojtarë janë të njohur edhe për skandale, Eriksen është i njohur si njeri familjar. Ai jeton me të dashurën, Sabrina Kvist Jensen që nga viti 2012. Ata kanë dy fëmijë.

Motra i luan për Danimarkën

Familja ka jetuar në Milano për një vit e gjysmë, ku Erikseni vetëm sa festoi titullin e kampionit të Serie A me Interin. Danezi çmohet nga të gjithë bashkëlojtarët.

Futbolli qartë se është pjesë e familjes së yllit. Motra e vogël e Eriksenit, Louise, po ashtu luan futboll. Ajo është kapitene e klubit të divizionit të parë danez, Kolding, e po ashtu anëtare e reprezentacionit. Christiani dhe motra e tij janë shumë të afërt.

Erikseni vazhdon të jetë në spital ku po u nënshtrohet kontrollimeve mjekësore. E ardhmja e tij në futboll është e dyshimtë, por gjithnjë do të njihet për kontributin e madh për lojën dhe vendin e tij.