Spinaqi është një barishte e familjes botanike goosefoot (këmbë pate) që përfshin barishte dhe bimë të ndryshme, të cilat kanë një aromë specifike, gjethet e të cilave i përngjajnë këmbës së patës.
Spinaqi është një nga barishtet më të çmuara në kuzhinën e vendit tonë. Vlerat ushqyese e bëjnë spinaqin një super ushqim, jo vetëm në Shqipëri, por edhe kudo tjetër në botë. Të ashtuquajturat ‘super ushqime’ kanë aftësinë të ulin kolesterolin, rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve të zemrës dhe mbrojnë ndaj radikaleve të lira.
Spinaqi është i pasur me vitaminë K, folat, vitaminë A, C, dhe beta karoten. Ai përmban gjithashtu sasi domethënëse të hekurit, kalciumit dhe e fundit, por jo nga rëndësia, spinaqi është një antioksidant i shkëlqyer.
Spinaqi mund të gatuhet në disa mënyra por edhe mund të hahet i gjallë. Për vlerat e lartpërmendura, spinaqi renditet në ushqimet që nuk duhet të mungojnë kurrë në shtëpi. Kjo është një arsye përse spinaqin duhet të mësoni ta rrisni vetë, që mos t’ju mungojë asnjëherë. Spinaqi, për fat të mirë është një barishte që rritet shumë mirë, si në pranverë ashtu edhe në vjeshtë dhe kur të lexoni udhëzimet e AgroWeb.org do ta kuptoni sa e lehtë është përkujdesja ndaj tij.
Kushtet e duhura për rritjen e spinaqit
Spinaqi është perime e stinës së freskët dhe rrjedhimisht mund të tolerojë edhe klimën e ftohtë. Ai ka nevojë për ndriçim të pjesshëm diellor dhe një tokë të pasur me pleh organik dhe të lagësht. Nëse shtoni limon jeshil në plehun e përdorur do të përmirësoni vlerat pehashit për tokën ku do të mbillni.
Mbjellja e spinaqit
Spinaqi mund të mbillet direkt në kopshtin tuaj, për sa kohë e keni punuar tokën që në pranverë. Nëse e mbillni vazhdimisht për gjatë disa javëve, do të keni mundësi të shfrytëzoni vlerat e barishtes për një periudhë më të gjatë. Farat e spinaqit duhen mbjellë 1 centimetër nën tokë dhe në një hapësirë prej 5-10 centimetra nga njëra-tjetra, në rreshta në një hapësirë prej 45-60 centimetra.
Rekomandohet mbjellja e farave të freskëta që gjenden në tregun e fshatarëve dhe jo farat e stinës së shkuar të mbjelljes. Mbillni 15-20 fara në çdo 30 centimetra. Ujitini farat mirë pas mbjelljes. Përdorni pleh organik, ose të pasur me nitrogjen. Kur farat të kenë çelur filiza, mund t’i krasisni që të qëndrojnë të paktën 10 centimetra larg njëri tjetrit. Për ruajtjen e lagështisë, mund t’i rrethoni filizat me gjethe ose pleh shtesë. Në të njëjtën mënyrë, spinaqin mund ta rrisni edhe në vazo, por duhet të siguroheni që ajo të jetë e madhe dhe e gjerë.
Përkujdesja
Spinaqi ka nevojë për të paktën 25 mililitra ujë në javë. Në mungesë të reshjeve, duhet ta ujisni vetë. Filizat kanë nevojë për hollim të herëpashershëm, por duhet të tregoni kujdes të mos tërhiqni rrënjët, pasi i dëmtoni ato. Spinaqi ka një sistem rrënje shumë të brishtë dhe nuk duhet dëmtuar. Nëse shtoni një shtresë tjetër nitrogjeni çdo 2-3 javë, do të mundësoni që spinaqi të jetë i shëndetshëm, me gjethe të plota me ngjyrë të gjelbër të errët. Mund të kërkoni për dhe’ të pasuruar me nitrogjen në dyqanet e luleve apo farmaci bujqësore.
Mbledhja
Spinaqi kërkon 40-50 ditë për t’u rritur plotësisht. Preferencat janë individuale, ndaj ju mund ta mblidhni në momentin që gjethet kanë arritur përmasat dhe ngjyrën që ju pëlqen. Disa njerëz preferojnë spinaqin gjethevogël, ndërsa disa të tjerë i duan gjethet më të mëdha. Gjethet e brendshme të tufës do të vazhdojnë të rriten dhe ato mund t’i këpusni më vonë.
Pas këputjes së gjetheve, konsumojini menjëherë që të shfrytëzoni shijen, aromën dhe ushqyesit. Lajini gjethet mirë me ujë të bollshëm. Spinaqi mund të ruhet në frigorifer për disa ditë (por duhet larë dhe tharë fillimisht) nëse nuk keni ndër mend ta konsumoni menjëherë.