Si ndikon i ftohti në rënien në peshë dhe eliminimin e dhjamit të tepërt


Në dimër, ditët janë më të ftohta dhe të shkurtra. Kjo nënkupton se njeriu kalon më shumë kohë në ambiente të brendshme, duke qenë i predispozuar ndaj shtimit në peshë.

Megjithatë, studimet thonë se dimri është stina më e mirë për të humbur peshë, pasi i ftohti ndihmon të dobësoheni e të eliminoni kilogramët e tepërt pa shumë përpjekje.

Disa studime tregojnë se temperaturat e ftohta aktivizojnë depozitat e yndyrave të kafenjta që konsiderohen të mira. Këto yndyra ndihmojnë të digjni më shumë kalori dhe të eliminoni yndyrat e bardha e të dëmshme nga trupi.

Me fjalë të tjera, trupi përdor më shumë energji dhe kalori në dimër se në verë.

Ekspertët thonë se ndjesia e të ftohtit mund të rrisë ritmin e djegies së kalorive nga 3 në 30 për qind.

Një studim tjetër ka zbuluar fakte që tregojnë se ekspozimi ndaj temperaturave të ftohta mund të transformojë llojet e yndyrave në trup dhe potencialisht të djegë yndyrat e tepërta. Për të arritur në këtë konkluzion, ekspertët vunë re transformimin e qelizave staminale si në temperaturë normale ashtu edhe në temperaturë të ftohtë.

Ata zbuluan se në temperaturë të ulët, këto qeliza formojnë një lloj yndyre të njohur si yndyra e kafenjtë.

Ajo e nxit trupin të djegë më shumë kalori për të ngrohur dhe të eliminojë dhjamin e tepërt.

I ftohti stimulon çlirimin e dy hormoneve që përshpejtojnë ritmin e djegies së energjisë nga qelizat e yndyrave të kafenjta.

Kjo është një nga arsyet përse dimri duhet të jetë stina kur mund të filloni një regjim të shëndetshëm ushqimor dhe një stil jetese të shëndetshme.

Sigurisht, duke evituar motin tepër të acartë, mund të bëni ecje në natyrë në orët pak më të ngrohta të ditës. /Agroweb/