Si do të shiten derivatet nga tetori, vendimi i Qeverisë vlen deri në fund të muajit


Në fund të këtij muaji, skadon vendimi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për përcaktimin e tavanit të çmimeve për shitjen e derivateve në vend.

Por, si do të veprohet nga muaji tjetër për çmimet, e çfarë presin naftëtarët të ndodhë?

Nga 1 shtatori, Shteti ka filluar të kontrollojë sërish çmimet me të cilat shiten nafta e benzina në vend.

Ditën kur Ministria doli me vendim që përcakonte tavanin e çmimeve, nafta shitej 1 euro e 79 centë e benzina 1 euro e 44 centë. Prej asaj dite, nafta ka rënë për 19 centë, e benzina për 9 centë.

Këto çmime, Shteti mund t’i kontrollojë deri në fund të këtij muaji. Kjo meqë, vendimi i Ministrisë për përcaktim të çmimeve është i vlefshëm vetëm për 30 ditë.

“Rregullimi i çmimeve dhe masat nga neni 1 i këtij Vendimi, mbeten në fuqi tridhjetë ditë, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Vendimi”, thuhet në vendimin e Ministrisë.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në MINT për të marrë informacione se si do të veprohet në këtë drejtim nga muaji i ardhshëm, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka pranuar përgjigje.

Për këtë vendim të Ministrisë janë deklaruar edhe nga Shoqata e Naftëtarëve.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka kërkuar që pas skadimit të vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të lejohet tregu i lirë.

Sipas Berjanit, Kosova është shteti më i vogël në botë, por që ka më së shumti pika karburnati.

Bazuar në statistikat e Berjanit, në gjithë Kosovën operojnë 750 pompa derivatesh.

“Vendimi i qeverisë duhet të respektohet. Nuk ka pompa të mbyllura shkaku i vendimit të qeverisë. 

Po ne kërkojmë që pas skadimit të këtij vendimi të lejohet treg i lirë, sipas Kushtetutës, sepse Kosova është shteti më i vogël në botë me më së shumti pika karburanti. 

Është një konkurrencë e madhe”, ka thënë Berjani 

Këtë praktikë, Ministria e kishte aplikuar fillimisht në fund të muajit qershor, pasi çmimi i naftës kishte arritur në gati 2 euro.

Për çdo ditë, deri më 24 korrik, Ministria dilte me vendim ku përcaktonte çmimin maksimal për shitjen e derivateve.

Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti, ka paralajmëruar ditë më parë se do të caktohet tavan i çmimeve edhe për produktet elementare ushqimore.

“Sot kemi pasur edhe vendimin lidhur me çmimin tavan sa i përket naftës, por edhe marzhës së fitimit të tregtarëve me pakicë dhe me shumicë. 

Pra, edhe duam ta mbrojmë konsumatorin nga rritja e çmimit të naftës, por në të njëjtën kohë edhe ta ruajmë konkurrushmërinë.

E kemi edhe nismën legjislative për çmimet bazë që duhet të kenë tavan, sa i përket produkteve elementare ushqimore”, deklaroi Kurti në një konferencë për media, pas miratimit të udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe karburanteve tjera.