Qeveria e Kosovës është duke shqyrtuar dhe po përgatitet për marrjen e masave të reja lidhur me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
E masat e reja po shqyrtohen pasi këto aktualet dolën të jenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese mund të jenë në fuqi më së largu deri më 13 prill.
Vendimi i Qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në orare të caktuara ishte i bazuar në dy ligje, Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe Ligjin për shëndetësi.
Mirëpo Gjykata Kushtetuese vlerësoi se këto dy ligje nuk e autorizojnë Qeverinë që të kufizojë lirinë e lëvizjes dhe të drejtat e garantuara me Kushtetutë, mirëpo e autorizojnë Ministrinë e Shëndetësisë që të marrë masa në ato ligje.
Kështu vendimi i 23 marsit 2020 i Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve doli se nuk është në përputhje me Kushtetutën, dhe të njëjtin Kushtetuesja vendosi ta shpallë të pavlefshëm. Madje është specifikuar se masat kufizuese mund të jenë në fuqi më së largu deri më 13 prill.
Të gjendur në një situatë të tillë kur kufizimet e lëvizjes nuk mund të aplikohen si deri më tani dhe rrezikut nga përhapja e koronavirusit Qeveria e Kosovës është duke u përgatitur për marrjen e masave të reja.
Në fakt qeveria në detyrë është duke shqyrtuar masën e kufizimit të lëvizjes së lirë vetëm në zonat e caktuara.
Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi, ka thënë për FaktePlus se institucionet përgjegjëse janë duke punuar dhe kufizimet e ardhshme kryesisht do të bëhet bazuar në Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.
“Të gjitha masat që janë marrë do të mbesin në fuqi përveç asaj që është kthyer nga Gjykata Kushtetuese dhe do vendosen masat e kufizimit në bazë të Ligjit të parandalimit të sëmundjeve ngjitëse të cilën kompetencë e ka Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Abazi.
Ai ka theksuar se kufizimi i ri i lëvizjes do të vlej vetëm për vendet apo komunat e caktuara, ku ka raste me Coronavirus.
“Do të thotë do të bëhet në pjesë të caktuara të vendit dhe jo shpallje e përgjithshme në tërë territorin e vendit, sepse ashtu është rekomanduar prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Abazi.
Qeveria e Kosovës qysh në fillim të muajin mars ka vendosur që në përputhje me vendimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të shpallur gjendje pandemie në nivel global në lidhje me Coronavirusin e ri, t’i ndërmarrë disa masa parandaluese, përfshirë edhe mbylljen e shkollave në të gjitha nivelet.
Mandej në mesin e këtyre masave është bërë bllokimi i disa hyrje-daljeve të disa komunave, mandej ndërprerja e transportit publik e masa të tjera.
– Ndërpritet me efekt të menjëhershëm transporti ndër-urban në Republikën e Kosovës, si dhe transporti i organizuar ndërkombëtar;
– Mbyllen kufijtë tokësorë për udhëtarët që hyjnë në Kosovë, kjo nuk vlen për qytetarët kosovarë, të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët hyjnë përmes këtyre kufijve do t’iu nënshtrohen kontrolleve të shtuara mjekësore me urdhrin që ata të vetizolohen për 14 ditë;
– Nga data 16 mars 2020 ora 24:00, bëhet pezullimi i përkohshëm i të gjitha linjave të udhëtimit ajror në Aeroportin e Prishtinës, përveç fluturimeve ushtarake, dhe emergjencave medicinale (MEDIVAC). Përjashtim bëjnë linjat e udhëtimit në ardhje me ekuipazh, por pa udhëtarë që shërbejnë vetëm për largim të udhëtarëve nga Kosova;
– Mbyllen kafeteritë, baret, pabet dhe restorantet, qendrat tregtare me përjashtim të farmacive dhe marketeve ushqimore;
– Pezullohen të gjitha aktivitetet kulturore dhe sportive;
-Mbyllen tregjet e kafshëve dhe tregjet e automjeteve;
– Reduktohen në veprimet esenciale dhe staf esencial çdo institucion publik, përveç stafit të sektorit të shëndetësisë dhe të sektorit të sigurisë;
-Urdhërohen kompanitë private që ta organizojnë punën në atë mënyrë që shumicën e aktiviteteve punëtorët t’i kryejnë nga shtëpia;
Institucionet e vendit ka bërë thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi e të mos dalin pa nevojë. Në Kosovë deri më tani janë regjistruar 145 raste me koronavirus. Me viktimat e sotme ka shkuar në 3 numri i vdekjeve nga koronavirusi. Ndërkaq, prej të infektuarve deri tani janë shënuar 23 persona dhe në rrugë drejt shërimit janë edhe disa të tjerë.