Nëse jeni nga ata që shtyjnë alarmin disa herë para se të ngriheni nga shtrati, mund të ndiheni fajtorë për këtë zakon të përditshëm. Megjithatë, një studim i ri sugjeron se shtyrja e alarmit në mëngjes mund të mos jetë aq e keqe sa mendohet.
Sipas studiuesve nga Universiteti i Notre Dame, ky veprim i përditshëm mund të jetë një shenjë se po i dëgjoni sinjalet e trupit tuaj dhe po i jepni vetes kohën që i nevojitet për të kaluar gradualisht nga gjumi në zgjim.
Studimi përfshiu më shumë se 450 pjesëmarrës dhe analizoi zakonet e tyre të zgjimit.
Rezultatet treguan se ata që përdornin funksionin e shtyrjes së alarmit (snooze) nuk përjetuan më shumë lodhje apo ulje të produktivitetit gjatë ditës, në krahasim me ata që u zgjoheshin direkt pas alarmit të parë.
Në fakt, studiuesit zbuluan se disa individë që shtynin alarmin ishin më të përgatitur mendërisht për ditën, duke pasur kohë për të kaluar nga fazat e thella të gjumit në fazën e zgjimit, në mënyrë më të qetë.
Ky studim thekson gjithashtu se zgjimi i papritur nga fazat e thella të gjumit mund të shkaktojë “inercinë e gjumit,” një gjendje ku trupi dhe mendja ndihen të plogështa për disa orë pas zgjimit. Shtyrja e alarmit mund të ndihmojë në zbutjen e këtij efekti, duke i dhënë trupit mundësinë për të kaluar gradualisht nga gjumi në zgjim.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se shtyrja e alarmit nuk duhet të jetë një zakon i përhershëm dhe se një gjumë i qëndrueshëm dhe cilësor gjatë natës është gjithmonë opsioni më i mirë për shëndetin dhe energjinë gjatë ditës.