Seanca e paraparë për të martën në Dhomat e Specializuara në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve është shtyrë për të mërkurën (28 shkurt).
Një ditë më parë u dëgjua dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), i 47-ti me radhë.
Prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar Sarah Clanton, në përmbledhjen për dëshmitarin e prezantoi atë si banor të Prizrenit që është ndaluar e keqtrajtuar prej pjesëtarëve të UÇK-së.
“Dëshmitari me numër 02749 ka qenë banor i Prizrenit. Në qershor 1999 është rrëmbyer dhe rrahur nga pjesëtarët e UÇK-së. Është dërguar në një ndërtesë të përdorur nga UÇK-ja ku është marrë në pyetje dhe është rrahur më pas. Gjatë ndalimit ai i ka vërejtur edhe personat e tjerë të ndaluar dhe është liruar nga një ushtar UÇK-së”, ka thënë gjatë përmbledhjes prokurorja Clanton.