Shtyhet mësimi deri më 26 shtator

Viti i ri shkollor nuk do të fillojë të paktën deri më 26 shtator.

Kështu është propozuar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë takimit me Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe kryetarët e komunave.

Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi ka thënë për Telegrafin se shkollimi parauniversitar është pezulluar deri më 26 shtator.

“Në takimin Koordinues, masat janë që deri më 26 shtator shkollimi parauniveristar të pezullohet”, tha Ibrahimi për Telegrafin.

Deklarata e plotë e AKK-së:

MINISTRIA E SHËNDETËSISË DISKUTON MASAT E REJA ME KRYETARËT E KOMUNAVE

Kryetarët e Komunave kanë mbajtur një takim virtual me Ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë z.Arben Vitia për të diskutuar situatën lidhur me pandeminë Covid–19 me theks të veçantë për masat e reja kundër kësaj pandemie pas datës 13 shtator 2021.

Ministri Vitia në këtë takim informoi Kryetarët e Komunave me situatën e tashme me pandeminë dhe sidomos aktivitetet ndër-institucionale kundër kësaj pandemie.  Ai tha se në këtë kohë kemi pasur shumë takime për të vlerësuar situatën me infeksione.

Poashtu ai u tha Kryetarëve të Komunave se sot kemi kaluar shifrën prej një milion të vaksionuar në nivel vendi që është një shenjë e mirë në këtë drejtim për çka ministri Vitia falenderoi edhe Kryetarët e Komunave për angazhim në këtë proces.

Ministri Vitia informoi Kryetarët e Komunave me propozim masat e reja që pritet të hyjnë në fuqi pas datës 13 shtator dhe do të vlejnë deri me 26 shtator 2021:

– Mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar nuk fillon para datës 26 shtator.

– Lejohen takimet vetëm deri në 20 persona duke mbajtur distancën 1.5 metra.

– Institucionet publike punojnë vetëm me staf esencial.

– Gastronomia vazhdon si edhe masat e deritashme.

– Në pikat kufitare nga 13 shtatori mbi moshën 16 vjeçare janë të obliguar të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testet relevante si deri më tani.

– Qendrat kulturore dhe institucionet e kulturës në varësi të MKRS dhe Komunave pezullojnë aktivitetet deri me 26 shtator.

– Ndryshe masat tjera vazhdojne siç kanë qenë në këto dy javët e fundit.

Nga data 27 shtator do të kemi masa të reja në varësi nga analizat dhe situatën që mund ta kemi në atë kohë në bashkëpunim me IKSHP dhe institucionet tjera shëndetësore në nivel vendi.

Në këtë takim, Kryetarët e Komunave dhe përfaqësuesitë tjerë komunalë të pranishëm në këtë takim online me Ministrin e Shëndetësisë paraqiten edhe sfidat dhe nevojat aktuale që janë në komunat e Kosovës me theks në çështjet e vaksinimit dhe furnizimit me barna shëndetësore.