Fillimi i vitit të ri shkollor 2020-2021 është shtyrë për 14 shtator, për shkak të situatës me COVID-19 në Kosovë.
Kjo u bë e ditur pas takimit të ministrit të Arsimit, Ramë Likaj, bashkë me SBASHK-un, IKSHPK-në dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë.
Këtë e ka konfirmuar për KOHËN, përfaqësuesi i SBASHK-ut, Ymer Ymeri.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Sindikatës së Arsimit që të shtyhet ky proces për shkak se shkollat nuk kanë arritur të përgatiten.
Në dakordim theksohet se fillimi i vitit të ri shkollor më 14 shtator do të vijojë sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit për fillimin e mësimit, Master Planit të MASH-së dhe Udhëzuesve përkatës të miratuar nga Qeveria.
Sipas vendimit, shtyrja e fillimit të vitit shkollor bëhet me qëllim të sigurimit të kushteve të sigurta për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit: distanca, bartja e maskës dhe pastërtia.
“Po ashtu kjo do të sigurojë një mobilizim më të madh të përgjithshëm në përballje me pandeminë në Kosovë”, theksohet tutje në këtë vendim, raporton KOHA.
Po ashtu është arritur pajtimi që deri më 14 shtator, deri në fillim të vitit shkollor, do të punohet për:
Krijimin e një procesi dhe mekanizmi për certifikimin e shkollave si shkolla të gatshme për zhvillim të mësimit në kushte të pandemisë;
Testimin e një mostre të mësimdhënësve dhe menaxhmentit të institucioneve edukative e arsimore;
Deklarimi i prindërve, DKA-ve dhe Task-Forcave për respektimin dhe zbatimin strikt të udhëzimeve të MSH-së/IKSHPK-së;
Finalizimi i përgatitjeve fizike, sanitare dhe njerëzore nëpër të gjitha institucionet edukative e arsimore në Kosovë.