Shtyhet derbi mes Ballkanit dhe Prishtinës

Ndeshja derbi e xhiros së 14 në Superligën e Kosovës ndërmjet Ballkanit dhe Prishtinës, e paraparë të luhet të dielën në Suharekë, është shtyrë. Komisioni i Garave i Superligës, ka marrë vendim për ta shtyrë këtë ndeshje për një kohë të pacaktuar.

Arsyeja e shtyrjes ka ardhur për shkak se Ballkani të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” luan ndeshjen e rëndësishme në kuadër të Grupit G të Ligës së Konferencës kundër Slavia Pragës.

“Komisioni i Garave i Superligës ka vendosur ta shtyjë ndeshjen e javës së 14-të në AlbiMall Superligë, ndërmjet Ballkanit dhe Prishtinës, e cila ishte paraparë të zhvillohet të dielën më 30 tetor. Shtyrja e kësaj ndeshje është bërë për shkak se të enjten skuadra nga Suhareka e zhvillon ndeshjen shumë të rëndësishme në UEFA Conference League kundër Slavia Pragës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Për orarin e ri të zhvillimit të ndeshjes Ballkani-Prishtina, KG do të vendosë së shpejti”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të martën.