Shtyhen finalet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës

Ndeshjet finale të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës janë shtyrë për shkak të shpërthimit të koronavirusit, ka thënë trupi udhëheqës në këtë sport, Federata Evropiane e Futbollit (UEFA).

Finalet në këto liga ishte planifikuar të mbaheshin në muajin maj.

Ende nuk është e ditur ndonjë datë se kur do të zhvillohen këto ndeshje.

Përveç kësaj, është bërë e ditur se është pezulluar edhe sezona e brendshme spanjolle, derisa, siç ka thënë qeveria, të caktohet një datë që nuk përbën rrezik për shëndetin publik.

Spanja deri më tani ka regjistruar 2,182 vdekje nga koronavirusi, ka njoftuar qeveria e këtij shteti më herët.

Numri i rasteve të regjistruara deri më tani ka kaluar shifrën 33,089.