Më 8 shkurt të këtij viti, Zyra e Rregullatorit për Energji vendosi për shtrenjtimin e rrymës. Vendimi hyri në fuqi një ditë më pas. Prej atëherë, konsumatorët kanë paguar më shtrenjtë. Por, dje është bërë me dije se Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që të shtyjë ekzekutimin e vendimit, pas padisë së PDK’së, deri në një vendim përfundimtar për këtë çështje. Express ju sjell një përmbledhje që nga propozimi për shtrenjtim, protestat, vendimi i ZRRE’së dhe i fundit, ai i Gjykatës.
Kur filluan reduktimet me energji në fund të vitit të kaluar, ankesat e qytetarëve ishin të shumta.Pas një muaji, ato do të rriteshin dhe më shumë, me propozimin për shtrenjtim të energjisë elektrike.
Më 17 janar, Zyra e Rregullatorit për Energji kishte dalë me propozim për rritje të faturave, pasi çmimet e energjisë ishin rritur edhe në tregjet evropiane, duke ndikuar kështu në çmimet e importeve të Kosovës.
Ishte thënë edhe se gjatë vitit 2021 është shënuar rritje e ndjeshme e kërkesës për energji elektrike – gjë që ka cenuar sigurinë e furnizimit dhe se kjo kishte çuar në reduktime.
Propozimi fillestar i ZRRE’së ishte që rryma të shtrenjtohet për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, por që me sunbvencionimin nga ana e Qeverisë, rritja do të ndjehej vetëm te konsumatorët që harxhojnë mbi 600 kWh.
Sipas këtij propozimi, rritja për konsumatorët që shpenzojnë 800 kWh do të ishte për 12.31 centë, derisa për ata që shpenzojnë mbi 1000 kWh do të ishte 24.62.
Pas publikimit të Raportit Konsultativ, ku ishin këto propozime, ZRRE iu dha kohë palëve që dëshirojnë të shprehin mendimet e tyre, që ta bëjnë këtë deri më 28 janar. Ky afat u shty më vonë për 31 janar.
Për të ndaluar shtrenjtimin, opozita tentoi të miratojë një rezolutë, por që dështoi.
Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, njoftoi se në votim morën pjesë vetëm 30 deputetë, që nuk mjaftojnë për të marrë vendim. Në votim nuk kishin marrë pjesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, mosvotimin e rezolutës nga deputetët e LVV-së e kishte konsideruar si koordinim të tyrin me kryeministrin Albin Kurti dhe Zyrën e Rregullatorit për Energji, që e ka propozuar shtrenjtimin e rrymës.
“Ne si grup parlamentar i Partisë Demokratike nuk do të vazhdojmë më tutje të qëndrojmë në seancë sepse nuk ka çështje më të rëndësishme për qytearët në këto momente sesa hudhja poshtë e këtyre bllok-tarifave”, kishte thënë ai.
As protestat s’arritën ta ndalojnë shtrenjtimin. Partia Socialdemokrate organizoi një protestë ku morën pjesë një numër i madh i qytetarëve, të cilët kundërshtonin këtë propozim.
Pas analizimit të komenteve, Zyra e Rregullatorit për Energji, më 8 shkurt, miratoi vendosjen e bllokut tarifor në 800 kilovat për konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë.
ZRrE ndryshoi vendimin pasi me rekomandimin paraprak, ata kërkonin që çmimi i energjisë elektrike të rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovat.
Për subvencionimin e këtyre tarifave, Qeveria ndau rreth 90 milionë euro.
Por, që ky subvencionim është paraparë vetëm deri në fund të këtij viti, ani pse tarifat do të aplikohen deri më 31 mars të vitit 2023.
“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovat orë. Struktura e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë efiçiente me 5,9 cent kWh. Për ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent. Njëkohësisht edhe në deri 800 tarifa e ulët prej 3 cent dhe tarifa e lartë prej 7 cent”, ishte thënë nga Departamenti i tarifave në ZRRE.
Të njëjtin propozim sikur ky që kishte miratuar ZRrE e kishte dhënë edhe Ministria e Ekonomisë dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në komentet dërguar ZRrE-së propozonte që zgjerimin e brezit tarifor në 800 kilovat nga 600 kilovat që ishte propozuar më parë nga ZRrE.
Propozim tjetër i ME-së ishte shtimi i blloqeve tarifore dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo e propozuar aktualisht për konsumin deri në 1,000kWh.
“Zgjerimi i brezit tarifor, përkatësisht ndryshimin e pragut të bllokut nga 600kWh në 800kWh, duke pasur në konsideratë efektivitetin e këtij mekanizimi në kushtet e mungesës së alternativave tjera të sigurimit të energjisë elektrike për nevoja të ngrohjes nga një pjesë e konsumatorëve; ose Shtimin e numrit të blloqeve tarifore, që do të mundësonte përshkallëzimin e tarifave nëpër blloqe dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo e propozuar aktualisht për konsumin deri në 1,000kWh”, njofton Rizvanolli.
Edhe Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), i pati propozuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që blloku i parë tarifor deri në 800 kilovat, mos të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.
Mimoza Kusari – Lila, shefe grupit parlamentar të LVV-së, në një konferencë për media pati deklaruar se grupi i dytë i konsumatorëve që shpenzojnë nga 800 deri në 1 mijë e 400 të kenë një rritje që do të përcaktohet edhe në bazë të subvencionimit të qeverisë.
“Blloku i parë tarifor deri në 800 kilovat për orë, i cili mbulohet nga prodhimi i KEK-ut të mos ketë shtrenjtim të rrymës. Këtu përfshihet edhe subvencionimi i Qeverisë. Ky bllok tarifor përbën 63% të amvisërive në gjithë territorin e Kosovës. Blloku i dytë tarifor nga 800 deri 1400 kilovat të ketë një rritje e cila do të përcaktohet në bazë të subvencioni i Qeverisë dhe llogaritjet e ZRRE-së dhe përfshinë mbi 23% të amvisërive. Më propozimin tonë, dy të tretat e amvisërive kursehen. Blloku i tretë tarifor që do të përfshinte konsumatorët që shpenzojnë mbi 1400 kilovat”, ishte shprehur deputetja e LVV-së në një konferencë për media.
Për vendimin e ZRrE’së, Partia Demokratike e Kosovës vendosi t’i drejtohej Gjykatës.
Më 18 mars, kjo parti paditi Zyrën e Rregullatorit të Energjisë. Sipas komunikatës së dërguar për mediat, PDK vlerësonte se vendimi i ZRRE-së për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike, meriton shqyrtim gjyqësor.
“Partia Demokratike e Kosovës, duke vepruar në mbrojtje të interesit publik, sot ka parashtruar Padi kundër Vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), me të cilin janë aprovuar tarifat e reja të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë. Vendimi i ZRRE-së, meriton shqyrtim gjyqësor në gjykatën kompetente, pos tjerash, edhe për faktin e mos përfshirjes në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike – të katër komunave veriore, duke diskriminuar kështu qytetarët e pjesës tjetër të vendit”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Kësaj padie të PDK’së, përgjigje i ka dhënë dje Gjykata Themelore e Prishtinës.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur masë të përkohshme ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Në dokumentin e publikuar në media thuhet se “ shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022 i publikuar më datë 16.02.2022 i të apditurës Zyra e Rregullatorit për Energji me seli në Prishtinë derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditëses”.
Gazeta Express ka dërguar pyetje në ZRRE për të marrë informacione se me cilat tarifa do të llogaritet tash energjia e shpenzuar dhe nëse do t’ju kthehen qytetarëve paratë që kanë paguar me tarifat e shtrenjta, por deri në momentin e publikimit të tekstit, s’ka marrë përgjigje.
Pas vendimit të Gjykatës, PDK’ja ka mbajtur sot konferencë për media.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se është arritur një fitore e madhe për pezullimin e vendimit të padrejtë të ZRRE-së për shtrenjtimin 100 përqind të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës.
“Gjatë kësaj periudhe të krizës energjetike, kemi pasur një angazhim jashtëzakonisht të madh që ta argumentojmë para Gjykatës që vendimi i Qeverisë Kurti dhe ZRRE-së ishte i kundërligjshëm dhe i dëmshëm për qytetarët e Kosovës. Ky vendim i Gjykatës, dëshmon se kompetenca dhe dija triumfojnë ndaj jo kompetencës dhe padijes”, ka theksuar Abelard Tahiri.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, njëherësh kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti, Industri dhe Ndërmarrësi, tha se ky vendim i Gjykatës dëshmon se Qeveria ka marrë vendime shumë të dëmshme për qytetarët në kohën e krizës energjetike, andaj ai paralajmëroi se shumë shpejt do të themelohet Komisioni Hetimor Parlamentar ku do të zbardhen të gjitha keqpërdorimet e qeverisë me fondet publike në kohën e krizës energjetike.
“Vendimi i Gjykatës ka rilegjitimuar të gjitha kërkesat e Grupit Parlamentar të PDK-së për ndërhyrjet politike dhe pabarazinë në procesin e faturimit. Ky vendim I Gjykatës është argument shtesë për themelimin sa më parë të Komisionit Hetimor Parlamentar për ta hetuar gjithë keqmenaxhimin e qeverisë gjatë krizës energjetike”, tha Shala.
Ndërsa, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci tha në konferencë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nëpërmjet diktatit dhe presioneve në institucionet e pavarura po i detyron ato të marrin vendime të kundërligjshme dhe në dëm të qytetarëve.
“Mbase qytetarët mund edhe t’ia falin Qeverisë koston e gabimeve si rezultat i jokompetencës dhe paaftësisë, por assesi nuk mund t’ia falin bakshishin për deformimin e skajshëm të vullnetit të tyre që të kenë furnizim të rregullt me energji dhe çmime të përballueshme”, tha Stavileci.