Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka deklaruar pasurinë e saj në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Në AKK Osmani ka të deklaruar shtëpi në dy lagjet luksoze Marigona Hill dhe Lagjia e Gjelbër.
Ajo ka deklaruar se vlera e shtëpisë në lagjen Marigona kap shifrën 87 mijë e 900 euro dhe është e në pronësi të përbashkët me bashkëshortin e saj, mirëpo te ‘Qëllimi i detyrimit’ shkruan se është ‘borxh’.

Ajo ka deklaruar se ka një banesë të papërfunduar me garazhë, me sipërfaqe rreth 95 metra katrorë, vlera e të cilës është 42 mijë e 500 euro.

Po ashtu, Osmani ka deklaruar edhe dy parcela toke në emrin e saj, njëra në vlerën 35 mijë euro ndërsa për tjetrën shkruan se “nuk ka vlerë reale në ndërtim të vrazhdë”.
Ajo ka deklaruar edhe 35 mijë e 721 euro dhe 6 mijë e 774 dollarë para të gatshme të mbajtura në bankën Raiffeisen.

Ajo ka deklaruar në emër të bashkëshortit edhe dy shtëpi, dhe një banesë me garazhë.
Presidentja ka deklaruar një shumë të konsiderueshme të kursimeve. 42 mijën e 495 euro të saj, dhe 31 mijë e 123 euro në emër të bashkëshortit.
Osmani ka pagë vjetore prej 32 mijë e 922 euro si presidente e Kosovës, ndërsa 6 mijë e 223 euro i ka marrë nga mëditjet në udhëtimet gjatë 2021-ës. /Demokracia.com/
