Shtatë simptomat që nuk duhen injoruar kurr

Nga humbja e pashpjegueshme e peshës deri te shfaqja e papritur e vezullimave të dritës, kini parasysh simptomat e rëndësishme dhe dini kur të kërkoni kujdes mjekësor.

Dhimbja e gjoksit, humbja e papritur e shikimit ose e të folurit dhe dhimbjet e forta të barkut, kërkojnë kujdes të menjëhershëm mjekësor. Por, çfarë ndodh me simptomat më delikate? Mund të jetë e vështirë të dihet se kur duhet të kërkoni kujdes mjekësor.

Në vijim Mayo Clinic sjell një listë me shtatë shenja e simptoma që kërkojnë vëmendje:

Humbja e pashpjegueshme e peshës

Humbja e peshës pa u përpjekur mund të jetë një shenjë e një problemi shëndetësor. Një rënie e pashpjegueshme në peshë mund të shkaktohet nga shumë gjendje shëndetësore. Këto përfshijnë tiroiden tepër aktive (hipertiroidizëm), diabetin, depresionin, sëmundjet e mëlçisë, kancerin ose çrregullimet që ndërhyjnë në mënyrën se si organizmi i absorbon lëndët ushqyese (çrregullime të keqpërthithjes).

Nëse keni humbur më shumë se 5 për qind të peshës trupore brenda 6 deri në 12 muajt e fundit, bisedoni me mjekun tuaj.

Temperaturë e vazhdueshme e lartë

Temperatura duket se luan një rol kyç në luftimin e infeksionit. Temperatura persistente mund të nënkuptojnë se keni një infeksion. Nëse keni ethe dhe simptoma të tjera, të tilla, si kolla dhe lodhja, kontaktoni mjekun tuaj për këshilla mjekësore. Sidomos, nëse temperatura juaj është 39 °C dhe qëndron më shumë se tri ditë.

Frymëzënie

Ushtrimet e forta, temperaturat ekstreme, mbipesha dhe lartësia e madhe mund të shkaktojnë dispne. Frymëzënia mund të jetë shenjë e një problemi tjetër shëndetësor. Nëse keni dispne të pashpjegueshme, veçanërisht nëse shfaqet papritur dhe është e rëndë, kërkoni kujdes mjekësor urgjent.

Shkaqet për dispne mund të përfshijnë sëmundje kronike obstruktive pulmonare, bronkit, astmë, pneumoni ose një mpiksje gjaku në mushkëri (emboli pulmonare). Shkaqe të tjera përfshijnë problemet e zemrës dhe mushkërive. Vështirësia në frymëmarrje mund të ndodhë edhe me një atak paniku – një episod i papritur ankthi intensiv që shkakton reaksione të rënda fizike kur nuk ka rrezik real ose shkak të qartë.

Ndryshime të pashpjegueshme në shprehitë e zorrëve

Ajo që konsiderohet tipike për lëvizjet e zorrëve ndryshon shumë. Konsultohuni me ofruesin tuaj të kujdesit shëndetësor nëse vëreni ndryshime të pazakonta ose të pashpjegueshme në lëvizjet e zorrëve, të tilla si:

• Jashtëqitje të përgjakshme, të zeza ose ngjyrë katrani
• Diarre ose kapsllëk i vazhdueshëm
• Dhimbje në bark që nuk largohet

Ndryshimet në shprehitë e zorrëve mund të jenë një shenjë e një infeksioni bakterial – të tillë, si infeksioni me kampilobakter ose salmonela – ose një infeksion viral ose parazitar. Shkaqe të tjera të mundshme përfshijnë sëmundjen e zorrës së irrituar dhe kancerin e zorrës së trashë.

Konfuzion ose ndryshime të personalitetit

Kërkoni kujdes mjekësor nëse keni papritur:

• Aftësi të dobëta të të menduarit
• Vështirësi për t’u fokusuar ose për t’i kushtuar vëmendje
• Ndryshimet e sjelljes

Këto ndryshime mund të shkaktohen nga shumë probleme, të tilla, si infeksioni, dehidrimi, ushqyerja e dobët, kushtet e shëndetit mendor ose droga.

Ndjeheni të ngopur pasi keni ngrënë shumë pak

Nëse zakonisht ndiheni të ngopur shumë shpejt ose pasi keni ngrënë më pak se zakonisht, bëni një kontroll. Mund ta keni këtë ndjenjë – të njohur si ngopje e hershme – së bashku me të përziera, të vjella, fryrje ose humbje peshe. Nëse po, sigurohuni që t’i tregoni mjeku tuaj edhe për këto simptoma.

Shkaqet e mundshme të ngopjes së hershme përfshijnë sëmundjen e refluksit gastroezofageal, e njohur zakonisht si GERD dhe ulcerat peptike. Në disa raste, një problem më serioz – si kanceri i lukthit – mund të jetë një faktor.

Vezullimet e dritës

Njollat e ndritshme ose vezullimet e dritës ndonjëherë mund të jenë një shenjë e migrenës. Në raste të tjera, shfaqja e papritur e tyre mund të jetë një shenjë e një gjendjeje serioze në të cilën një shtresë e hollë indi në pjesën e pasme të syrit tërhiqet nga pozicioni i saj (shkëputja e retinës). Kujdesi i menjëhershëm mjekësor mund të ndihmojë në parandalimin e humbjes së përhershme të shikimit.