Shtatë kosovarë kërkojnë ndihmë për t’u larguar nga zona e luftës në Izrael

Shtatë kosovarë aktualisht po kërkojnë ndihmë nga Ambasada e Kosovës në Izrael, për t’u ofruar zgjidhje, që të largohen nga zona e luftës që shpërtheu.

Veç tyre, tetë të tjerë tashmë janë kthyer në vendlindje për shkak të sulmit terrorist ndaj shtetit të Izraelit që ndodhi të shtunën, më 7 tetor të këtij viti.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në një përgjigje për klankosova.tv, nga dikaster i cili u shprehën se po mbajnë kontakte të vazhdueshme edhe me shtetasit e Republikës së Kosovës që ndodhen me punë në shtetin e Izraelit si pjesë e stafit ndërkombëtar të organizatave të huaja.

“Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, që kërkuan ndihmë tashmë janë larguar nga territori i shtetit të Izraelit. Ndërkohë, në Ambasadën e Republikës së Kosovës janë lajmëruar edhe shtatë shtetas të tjerë me të cilët Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm për t’i ofruar zgjidhje. Të lajmëruarit janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore”.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po mban kontakte të vazhdueshme edhe me shtetasit e Republikës së Kosovës që ndodhen me punë në shtetin e Izraelit si pjesë e stafit ndërkombëtar të organizatave të huaja apo agjensioneve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – OKB-së”, thuhet në përgjigje.

Po ashtu, theksohet se nga informacionet e pranuara deri më tash nuk raportohet për ndonjë shtetas të Republikës së Kosovës që ka humbur jetën apo është lënduar.

Deri tani numri i izraelitëve të vrarë ka shkuar në 900, ndërkaq i palestinezëve 687. Lufta nisi kur Shërbimet izraelite të emergjencës kanë bërë të ditur se dhjetëra raketa u lëshuan nga Rripi i Gazës drejt Izraelit.